Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, më 25 korrik, një ditë pasi ai t’i drejtohet me një fjalim Kongresit amerikan.
Lajmin e transmeton agjencia AFP, duke u thirrur në një zyrtar amerikan.
Data e takimit në Shtëpinë e Bardhë ishte e pavendosur, pasi Biden u infektua me koronavirus dhe ishte në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.
Izraeli raportoi fillimisht se dy liderët do të takoheshin më 23 korrik.
Netanyahu pritet t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së të mërkurën, në lidhje me luftën e ushtrisë së tij në Gazë.
Pavarësisht kësaj lufte, SHBA-ja ka vazhduar mbështetjen për Izraelin, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në sigurimin e armëve, por Biden ka shprehur disa herë shqetësime për sjelljen e Izraelit.
Në një rast, ai e ka cilësuar atë si “ekstreme”.
Lufta në Gazë ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme masive në Gazë – enklavën që kontrollon Hamasi.
Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se mbi 39.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta./REL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co