Presidenti Joe Biden kritikoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu lidhur me luftën në Gazë dhe i bëri thirrje qeverisë së tij që të dërgojë sasi të mëdha ndihmash në territorin e shkatërruar, duke rritur trysninë ndaj Izraelit për arritjen e një armëpushimi. Thirrja nxjerr në pah tensionet lidhur me luftën mes dy aleatëve.
Komentet e tij në një intervistë që u transmetua të martën vonë, nxjerrin në pah dallimet mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara mbi ndihmën humanitare për banorët e Gazës. “Ajo që po bën ai (Netanjahu) është e gabuar. Unë nuk jam dakord me qasjen e tij”, i tha zoti Biden televizionit në gjuhën spanjolle, Univision, në përgjigje të pyetjes nëse kryeministri izraelit po vendos mbijetesën e tij politike, mbi interesin kombëtar.
Zoti Biden tha se Izraeli duhet të bjerë dakord për një armëpushim dhe të dërgojë ndihma masive në Gazë për gjashtë deri në tetë javët e ardhshme, si edhe të lejojë vendet e tjera në rajon të ndihmojnë në shpërndarjen e ndihmave. “Kjo duhet të bëhet tani,” tha ai.
Zoti Biden e ka mbështetur me vendosmëri luftën e Izraelit kundër Hamasit që filloi pas sulmit vdekjeprurës që grupi militant kreu në Izrael më 7 tetor.
Por javët e fundit, duket se ai po e humbet durimin me kryeministrin Netanjahu dhe administrata e tij ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Izraelit, gjë që ka thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit për shkak të luftës.
Mosmarrëveshja më serioze është ajo mbi planet e Izraelit për një ofensivë në qytetin jugor të Gazës, Rafah, dhe çarjet në marrëdhënie janë thelluar, duke u përkeqësuar nga sulmi ajror izraelit javën e kaluar ndaj një autokolone ndihmash, nga i cili humbën jetën shtatë punonjës të organizatës bamirëse World Central Kitchen (WCK).
Izraeli tha se vdekjet ishin të paqëllimshme, por zoti Biden shprehu indinjatën për sulmet në intervistën që ishte regjistruar dy ditë pasi ato ndodhën.
Palestinezët në Gazë shënuan të mërkurën fillimin e Fitër Bajramit në një atmosferë të zymtë, me prindër që vizitonin varret e djemve dhe vajzave të vrarë në luftë. Pas lutjeve të mëngjesit, myslimanët zakonisht vizitojnë varret e të dashurve gjatë festës treditore që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Uria në Gazë po lë në hije festën, zakonisht një ditë e hareshme për familjet. Izraeli dhe Hamasi janë të angazhuar aktualisht në bisedime përmes palëve të treta, që synojnë arritjen e një armëpushimi në këmbim të lirimit të pengjeve të kapura nga Hamasi.
Por palët mbeten shumë larg mbi çështjet kyçe, përfshirë kthimin e palestinezëve në Gazën veriore të goditur rëndë.
Kabineti i Sigurisë i zotit Netanjahu u mblodh të martën vonë për të diskutuar për negociatat mbi pengjet, por nuk u duk se mori ndonjë vendim.
Netanyahu është zotuar të arrijë “një fitore të plotë” në luftë dhe të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, duke parandaluar kështu përsëritjen e sulmeve si ai i 7 tetorit, si edhe për të kthyer pengjet.
Ai thotë se fitorja duhet të përfshijë një ofensivë në Rafah, për të cilën Izraeli thotë se është bastioni i fundit i rëndësishëm i Hamasit, por më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës aktualisht strehohen atje./Voa/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co