Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 11 dronë të lëshuar nga Ukraina në katër rajone ruse mëngjesin e 7 gushtit.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore penguan dhe shkatërruan tre dronë mbi rajonin e Belgorodit, katër mbi atë të Kurskut, dy dronë në rajonin e Voronezhit dhe dy në rajonin e Rostovit”, tha Ministria e Mbrojtjes në një postim në Telegram.
Edhe një ditë më parë, zyrtarët lokalë në Kursk kishin raportuar për sulme me dronë dhe granata të Ukrainës.
Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kanë zmbrapsur kërcënimet ruse me dronë në disa rajone ukrainase.
Administrata ushtarake e rajonit të Kievit tha se sistemet e mbrojtjes ajrore të kryeqytetit ukrainas u aktivizuan ndaj dronëve rusë.
Rusia, që nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, sulmon shtetin fqinj me lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë dhe raketa. Pavarësisht dëshmive të shumta, Moska mohon se sulmon infrastrukturën civile.
Edhe Kievi shpesh thotë se sulmon caqet e ushtrisë ruse, infrastrukturën e energjisë, për të penguar luftën që Rusia nisi kundër saj në shkurt të vitit 2022./Rel/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co