Luftë apo arrati? Konflikti i armatosur përçan shoqërinë në Ukrainë, është rritur agresiviteti dhe…

lufte apo arrati konflikti i armatosur percan shoqerine ne ukraine eshte rritur agresiviteti dhe
lufte apo arrati konflikti i armatosur percan shoqerine ne ukraine eshte rritur agresiviteti dhe

Karpatet në jugperëndim të Ukrainës. Raketat dhe dronët rusë fluturojnë rrallë këtu. Megjithatë pikërisht në këtë zonë idilike po ndihen tensione në rritje. Të dëshpëruar disa ukrainas përpiqen të largohen nga vendi nëpërmjet maleve. Ndërsa të tjerë vijnë në male për të pushuar.

Se çfarë mund të shkaktojnë tensionet, kjo duket qartë në qytezën Voroça, që jeton prej turizmit. Meqënëse ushtria ukrainase qendron në hyrje të qytezës për të rekrutuar meshkujt, banorët druajnë se do t’u bjerë biznesi, nëse forcat e punës tërhiqen për në front. Ka pasur përplasje fizike, që kanë tërhequr vëmendjen në mbarë vendin.

Qindra kilometra larg nga fronti jeta në Voroça duket normale. Të paktën në sipërfaqe. Sepse barra e luftës ndihet vazhdimisht edhe këtu në këtë zonë pushimesh.

“Ne kemi jetuar prej turizmit. Tani nuk ka më turistë. Me çfarë të jetojmë tani?”, thotë taksisti Vasyli.

Një pyetje kjo që i drejtohet udhëheqjes së Ukrainës. Sepse ligji i ashpërsuar për rekrutimet në ushtri është shkak për problemet me të cilat po përballet kjo zonë. Në korrik ushtria vendosi në hyrje të Voroças një pikë kontrolli.

Lufta i ngarkon njerëzit psiqikisht duke shkaktuar agresion në shoqëri
Kjo i frikëson turistët në moshë ushtrie. Dëgjohen të bërtitura e disa burra përplasen fizikisht mes tyre. Voroça po tërheq vëmendjen e medias në mbarë vendin.

Kryetari i bashkisë, Oleh Dsemjuk, turpërohet nga këto imazhe. Që trazirat të mos përshkallëzohen, ai bën thirrje për më shumë dialog ndërmjet politikës, ushtrisë dhe shoqërisë. “Lufta i ngarkon shumë njerëzit psiqikisht. Nëse njeriu është i dobët psiqikisht, situata menjëherë mund të kthehet në formë agresioni. Situata ekonomike në shtet është e vështirë. Njerëzit janë varfëruar e kjo pa pasoja.”

Edhe për Jurij dhe Svitlana Hrynkiv, që menaxhojnë një bujtinë në Voroça. Me një pishinë natyrore, sauna dhe pyll. Deri në 70 vetë mund të strehohen këtu. Por krahasuar me një vit më parë sivjet ka pasur 50 përqind më pak rezervime. Për punë riparimesh në qytezë burrat mungojnë.

Jurij Hrynkiv: “Shumë zanatçinj janë në front. Ka shumë shumë burra nga kjo zonë në front. Çfarë të them. Ne tani na duhet të gjitha punët t’i përballojmë vet”.

Paratë mungojnë e punët shtohen. Këtyre problemeve u shtohet edhe errësira e ndërprerjet e rrymë elektrike, për shkak të shkatërrimit të centraleve. Na duhet t’u bëjmë ballë të gjithave me këto probleme. Por Jurij ka pjesëtarë të familjes në front. Disa nga shokët e tij të ngushtë janë vrarë në luftë. Ai akuzon perëndimin që nuk po jep ndihma dhe ndjen dhimbje. Jurij Hrynkiv thotë, se „çdo familje ka këtë ndjenjë. Kjo nuk prek vetëm ata që janë larg. Ata që shkojnë me pushime, si deputetët, në parlamente – në SHBA, ndonëse këto shtete dikur na garantonin ne sigurinë”.

Vetëm nga Voroça e vogël kanë shkuar mbi 200 burra e gra në luftë – 13 prej tyre janë vrarë. Nga frika prej një fati të tillë mijëra burra kanë vendosur të arratisen. Ata fshihen në pyjet e dendura, kalojnë lumenjtë. Në disa raste përpjekjet për t’u arratisur përfundojnë me vdekje.

Ukraina investon për ruajtjen e kufijve jugperëndimorë
Udhëtim në një vend diku në kufirin mes Ukrainës dhe Rumanisë. Truproja e kufirit është përgjegjëse, që askush të mos largohet nga vendi ilegalisht. Pyesim një nga rojet: A keni mirëkuptim për ukrainasit që arratisen nga frika? „Frikë kanë të gjithë. Por për ndonjë arsye disa e përmbushin detyrimin e tyre, duke i bërë ballë frikës, ndërsa të tjerë duan t’i shmangen detyrimit të rye. Përse disa duhet të mbrojnë vendin, ndërsa të tjerët shmangen?”, thotë ai.

Një dilemë: Shtetit i duhen burra, që ta mbrojnë atë. E shteti duhet të kujdeset që tensionet në rritje të mos shkaktojnë përçarjen e shoqërisë. Roja i kufirit Maksymjuk vë në pikëpyetje edhe praktikën arbitrare të rekrutimit.

Ushtari i kufirit Vasyl Maksymjuk thotë: “Kur një njeri ka vërtetë frikë, përse duhet dërguar ai në front? Lëreni atë në vijat e pasme të kujdeset për furnizimet.”

E meqënëse nuk ndodh kështu, rojet e kufirit kanë shumë punë, si asnjëherë më parë. Segmenti që ata ruajnë, na thonë, është aktualisht zona me kalimet më dinamike. Çdo moment mund të ndodhë diçka. Maksymjuk dhe kolegët e tij me një qen të stërvitur kontrollojnë çdo kilometër. Gardhe të reja, dronë vrojtues, personel shtesë dhe kamera me rreze infra të kuqe – Ukraina është e detyruar të investojë më shumë para për mbrojtjen e kufijve të saj qindra kilometra në jugperëndim.

Vetëm pak metra nga Rumania: Papritur gjithçka zhvillohet shpejt. Një burrë çan gardhin me tela me gjemba dhe vrapon. Vetëm pak metra përpara kufirit rumun atë e ndalojnë ushtarët e kufirit.

Burri është i qetë. Nuk mbrohet. Ai e di, që për tentativë kalim kufiri e pret një dënim me gjobë. Pyetjeve që i drejtojmë ne lidhur me përpjekjen për t’u arratisur ai nuk u përgjigjet. “As indinjatë dhe as gëzim”, na thotë Vasyl Maksimjuk.

Ligji i luftës i kufizon të drejtat themelore, që në kohë paqeje janë të pacënueshme. Edhe sa mund t’i durojë këto shoqëria demokratike?

Çdo ditë në Ukrainë varrosen ushtarë
Fshatrat piktoreskë po zbrazen, vuajtjet po shtohen dhe me këtë po humbet edhe mirëkuptimi ndaj atyre, që i shmangen shërbimit në luftë. Nga fshati im të gjithë janë regjistruar vullnetarisht në front, rrëfen Ljubov Popovyç. „Askush nuk ka shkuar në ushtri, sepse e kanë rekrutuar. Kështu ishte në fillim të luftës. Ndërsa tani njerëzit përpiqen të shpëtojnë si e ku të munden.”

Bubnyshe ka qenë dikur një fshat me 500 banorë. Pastaj dhjetra burra shkuan në front, baballarë e familjarë. Katër prej tyre u vranë. Shumë të tjerë kanë humbur këmbë e duar. “Natyrisht unë nuk dua që t’ia japim Rusisë territoret tona, ose që gjithçka të përfundojë në qorrsokak. Njerëzit vdesin, vdesin, vdesin dhe nuk ka asnjë rezultat.”, thotë i menduar banori Ljubov Popovyç.

Në varrezat e ushtarëve në Lviv ndërkohë ka qindra varre, pothuajse çdo ditë shtohen varre të reja. Rreth 900 ditë që pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës shoqëria është dërmuar e pasojat ndihen edhe në pjesën perëndimore të Ukrainës, që në dukje konsiderohet si më e sigurtë.

Ceremonitë e përmortshme në Lviv janë kthyer në rutinë. Pjesëmarrja e shoqërisë është e madhe. Në hidhërimin e tyre njerëzit pavarësisht tensioneve qendrojnë të bashkuar. E ata janë të bashkuar edhe me shpresën për një paqe të drejtë./ DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →