UN Women, një organizatë e Kombeve të Bashkuara e përkushtuar ndaj barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, e quajti luftën në Gaza, mes të tjerash edhe një luftë kundër grave.
Organizata vlerësoi se 9,000 gra janë vrarë në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit.
“Ndërsa lufta në Gaza vijon prej gati pesë muajsh, gratë e Gazës vazhdojnë të vuajnë ndikimin e saj shkatërrues. Ndërsa kjo luftë nuk kursen askënd, të dhënat tregojnë se ajo vret dhe plagos gratë në mënyra të paprecedentë”, thuhet në deklaratë.
UN Women raportoi se mesatarisht 63 gra vriten çdo ditë në Gaza, me rreth 37 nëna që humbin jetën duke lënë familjet e tyre të shkatërruara dhe fëmijët e tyre pa mbrojtje dhe kujdes.
“Më shumë se 4 nga 5 gra (84 për qind) raportojnë se familja e tyre ha gjysmën ose më pak të sasisë së ushqimit që konsumonin para fillimit të luftës. Janë gratë dhe nënat ato të cilat ngarkohen më tepër me përgjegjësinë për të siguruar ushqim, por janë pikërisht ato që konsumojnë më pak se familjarët”, thotë organizata e Kombeve të Bashkuara.
UN Women gjithashtu theksoi se 87% e grave në Gaza e kanë më të vështirë të kenë akses në ushqim sesa burrat.
“Disa gra tani po përdorin mekanizma ekstremë, si kërkimi i ushqimit nën rrënoja ose në kosha”, tha UN Women.
Ata bënë thirrje për ndihmë të menjëhershme humanitare për të arritur në Gaza dhe për t’i dhënë fund “vrasjeve, bombardimeve dhe shkatërrimit të infrastrukturës thelbësore në Gaza”.
“Nëse nuk ka një armëpushim të menjëhershëm humanitar, shumë të tjerë do të vdesin në ditët dhe javët në vijim”, tha UN Woman.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co