Sport

Luiza Gega gati për Olimpiadën: Rrugëtim sfilitës, ia ka vlejtur

luiza gega gati per olimpiaden rrugetim sfilites ia ka vlejtur
luiza gega gati per olimpiaden rrugetim sfilites ia ka vlejtur

Luiza Gega po bëhet gati për “Paris 2024”, ku do të shënojë edhe pjesëmarrjen e saj të tretë në Lojërat Olimpike, pas “Rio 2014” dhe “Tokio 2020”. Gega shkon në Paris e kualifikuar me normë, teksa vijon prej vitesh me serinë e rezultateve të jashtëzakonshme.

Në prag të Olimpiadës, Gega ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa shfaqet më e karikuar se kurrë. “Ka qenë shumë sfilitës ky rrugëtim i gjatë, por që ja ka vlejtur çdo kujtim që kam krijuar dhe që do të ngelen aty për të gjithë jetën. Që në fillimet kur nisi ëndrra Olimpike e dija që duhej një punë shumë e madhe, ku mes qindra atletëve duhet të isha një ndër më të mirat për të shkuar Lojërave Olimpike.

Synimi gjithmonë ishte të shkoja më normë sepse e di që nuk do ta shijoja ndryshe vajtjen time atje dhe ashtu ndodhi që në Olimpiadën time të parë. Më besoni kur ju them që kam punuar aq shumë, po aq shumë, për të qenë në këtë nivel. Vetëm trajneri im e di sa shumë e kam shtyrë veten për të realizuar ëndrra që dukeshin të pamundura me aq pak mbështetje që kishim, sidomos në fillimet e këtij rrugëtimi. Por sot ndihem shumë krenare për veten sepse e di qe kam dhënë maksimumin tim dhe kurrë nuk hoqa dorë për të realizuar ëndrrat e mia.

Sigurisht që e mira nuk ka fund, por kur mendoj që nga e fundit në Europë në garën time të parë pas 13 vitesh arrita të ngjitem në majë të saj është diçka që nuk mund ta shpjegoj si ndihesh kur i thua vetes: ‘Ia dola’. Do doja në fakt që ky vit të më kishte nisur më mirë, të mos kisha ato shqetësime shëndetësore që mu shfaqën, por gjithsesi kam ende besim që mund t’ia dalë për të krijuar një kujtim të bukur nga këto Lojëra Olimpike.

Sigurisht që unë sado të punoja fort nuk do t’ia kisha dalë kurrë pa familjen time. Nuk do t’ia kisha dalë kurrë pa trajnerin tim, i cili ka bërë të pa mundurën për mua dhe pa Komitetin Olimpik, që më mbështet prej 15 vitesh, për të vazhduar me Bashkinë Tiranë, Klubin Sportiv Tirana, Federatën Shqiptare të Atletikës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit “, shkruan Gega.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts