Në fushën e gjeopolitikës dhe të sigurisë presidenti francez Emmanuel Macron gjatë fjalimit nga Sorbona bëri tre konstatime që kanë bërë sipas tij atë që ai e quajti “ndryshimin e epokës”. Vërejtje dhe kritika shefi i Elysee kishte për SHBA-të të cilat sipas tij nuk e kanë më në përparësi Europën.
Së pari, sipas Macron, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tani vetëm dy përparësi”. “Që janë vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është më se normale, dhe pastaj vjen për ta dosja e Kinës. Çështjet europiane nuk janë më një përparësi gjeopolitike për SHBA-të për vitet dhe dekadat e ardhshme, pavarësisht se sa e fortë është aleanca jonë me ta dhe paçka sa me fat jemi këto kohë me një administratë amerikane që është shumë e angazhuar për të ndihmuar në konfliktin ukrainas”, tha ai.
Në këtë pikë Macron propozon disa iniciativa: “Prodhim europian armatimesh që Europa të mos varet më nga SHBA-të”. Macron është për “një kredi të re europiane” si në kohën e COVID-it, kësaj here për të forcuar arsenalin ushtarak të BE-së.
Sipas Macron, “nuk mund të ketë mbrojtje pa një industri të mbrojtjes”.
Presidenti francez kërkon jo vetëm që të prodhohet në Europë por që njëkohësisht të vendoset parimi i preferencës europiane në blerjen e pajisjeve ushtarake.
Ai jep një shifër: “në ndihmën ushtarake që BE-ja i jep Ukrainës, tre të katërtat e fondeve europiane jane përdorur për të blerë armatime jo-evropiane nga SHBA-të, biles dhe nga Koreja e Jugut”. “Por nëse prodhojmë në Europë, duhet një standardizim“, nënvizon Macron, “në mënyrë që mos të kemi topa dhe predha me standarde sipas çdo vendi anëtar të BE-së gjë që e zbeh forcën e një mbrojtje kolektive”.
Macron propozon po ashtu, duke mbështetur një propozim gjerman, që të krijohet një mburojë anti-raketore europiane, pra që të përfshijë gjithë territorin e BE-së. Ai propozon krijimin e një akademie ushtarake të përbashkët europiane si dhe krijimin e një force ushtarake europiane të ndërhyrjes së shpejtë.
Për t’u dalluar edhe më shumë nga SHBA-të, Macron predikon një autonomi të europianëve edhe në krijim partneritetesh sigurie me vende të tjera pa kaluar nga SHBA-të: “Ne duhet të vazhdojmë të kemi partneritete me vendet e treta, pra për të ndërtuar një Europë të aftë për të treguar se nuk është kurrë një vasal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se di gjithashtu të flasë me të gjitha rajonet e botës, me vendet në zhvillim, me Afrikën dhe me Amerikën Latine”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co