Shqiperia

Mandati i Olta Xhaçkës, zbardhet draft-raporti i Këshillit të Legjislacionit: Kuvendi në seancën e parë të miratojë vendimin

mandati i olta xhackes zbardhet draft raporti i keshillit te legjislacionit kuvendi ne seancen e pare te miratoje vendimin
mandati i olta xhackes zbardhet draft raporti i keshillit te legjislacionit kuvendi ne seancen e pare te miratoje vendimin

Këshilli i Legjislacionit është mbledhur sot për të diskutuar mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.
Lidhur me çështjen Xhaçka, Gjykata Kushtetuese ka vendosur:

“1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
4. Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”.

Në një draft raport të Këshillit të Legjislacionit, të siguruar nga gazetari Osman Stafa, për Balkanweb, thuhet se me vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetutese është zgjidhur një konflikt kompetencash midis 1/10 së deputetëve, anëtarë të pakicës parlamentare, dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Në draft raport thuhet se Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.

Gjithashtu i kërkohet Kryetares së Kuvendit të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

“Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, theksohet në draft-raport.

Vendimi nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” i Kuvendit të Shqipërisë, është shpallur si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushteteuse ka përcaktuar shprehimisht detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash.

“Parimi i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të shtrihet në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet kur ajo ka përcaktuar për Kuvendin detyrime konkrete që nuk lënë hapësirë vlerësimi për mënyrën e zbatimit nga ana e tij.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin konkret nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare, por një procedurë për ekzekutimin e një detyrimi konkret të lindur prej tij, sikurse është ai për dërgimin asaj të çështjes së papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të ngritur mbi mocionin e 1/10-ës së deputetëve”, thuhet në draft-raport.

Në mbështetje të neneve 124 dhe 132 të Kushtetutës; nenit 81 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; si dhe neneve 14 dhe 87 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Legjislacionit i paraqet këtë Raport Kryetares së Kuvendit,

DUKE REKOMANDUAR SA MË POSHTË:

Në përputhje me vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me përcaktimin në vendim se: “në kontekst të rrethanave të rastit dhe në raport me përcaktimet e nenit 66/a, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje me afatin maksimal të paraqitjes asaj të kërkesës nga Kuvendi, konsideron të theksojë se shqyrtimi i çështjes nga Kuvendi duhet të bëhet me përparësi, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj.”…… “Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”;
MËNYRA E VETME PËR ZBATIMIN E KËTIJ VENDIMI TË GJYKATËS KUSHTETUESE ËSHTË NDJEKJA E PROCEDURËS PARLAMENTARE SI MË POSHTË:

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin.

Një kopje e ketij raporti i dorëzohet Kryetares së Kuvendit, një kopje ruhet në Zyrën e Arkivës së Kuvendit, dhe një kopje i shpërndahet për dijeni deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Me dorëzimin e këtij Raporti, përgjegjësia e Këshillit për Legjislacionin sipas nenit 87 të Rregullores së Kuvendit konsiderohet e përmbushur.

Në mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin u diskutua dhe morën pjesë anëtarët e Këshillit, sipas zbardhjes së bërë në procesverbalin e mbledhjes së datës 27.08.2024.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts