Mark Rutte, kryeministri holandez në largim, pritet të jetë kreu i ardhshëm i NATO-s pas arritjes së një marrëveshje me homologun Viktor Orban, me premtimin se nuk do të vendosë forcat e Hungarisë, si edhe nuk do të shpenzojë paratë e saj për të mbështetur Ukrainën.
Viktor Orban, lideri në NATO që shihet si më i afërti me Rusinë, njoftoi se kishte hequr dorë nga kundërshtimet e tij pas dakordësisë me Mark Rutte.
Sekretari aktual i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, deklaroi se procesi i përzgjedhjes do të përfundonte “shumë shpejt”.
Pasditen e së martës, Orban shkroi në X se “Hungaria është e gatshme të mbështesë kandidaturën e kryeministrit Rutte për sekretar të përgjithshëm të NATO-s” dhe publikoi një letër që kishte marrë nga politikani holandez po atë ditë.
“Unë jam në dijeni të rezultatit të bisedimeve midis Jens Stoltenberg [sekretarit të përgjithshëm aktual] dhe jush në lidhje me mbështetjen e NATO-s për Ukrainën. Unë e kuptoj që ju theksuat se asnjë personel hungarez nuk do të merrte pjesë në këto aktivitete dhe asnjë fond hungarez nuk do të përdoret për t’i mbështetur ata”, shkruhej në letër.
Udhëheqësi holandez shtoi se ai do të respektonte angazhimin e dhënë për Hungarinë, duke shkruar “në një cilësi të mundshme të ardhshme si sekretar i përgjithshëm i NATO-s, unë do ta mbështes plotësisht këtë rezultat të bisedimeve”, teksa shtoi: “Unë pres me padurim angazhimin tonë të ardhshëm, çfarëdo qoftë kjo.”
Sllovakia, një tjetër anëtare e NATO-s, qeveria e së cilës shihet pranë Rusisë, tha gjithashtu të martën se ishte e gatshme të mbështeste Rutte.
Peter Pellegrini, presidenti i vendit, tha në një konferencë: “Republika Sllovake mund të mbështesë kryeministrin holandez Mark Rutte si kreun e aleancës.”
Sekretari i përgjithshëm të NATO-s zgjidhet me konsensus nga 32 anëtarët e aleancës, dhe me Hungarinë dhe Sllovakinë që janë deklaruar për Rutte, ndërsa vetëm Rumania shihet si pengesë përfundimtare. Presidenti i vendit, Klaus Iohannis, ishte një kandidat rival, por nuk ka marrë asnjë mbështetje dhe pritet nga anëtarët e aleancës të tërhiqen së shpejti.
“Me njoftimin e kryeministrit Orban sot, mendoj se është e qartë se jemi shumë afër përfundimit që aleatët të zgjedhin një sekretar të përgjithshëm të ardhshëm. Mark Rutte është një kandidat shumë i fortë. Ai ka shumë përvojë si kryeministër. Ai është një shok dhe koleg i ngushtë.
Unë besoj shumë se shumë shpejt aleanca do të ketë vendosur për pasardhësin tim dhe kjo do të jetë e mirë për të gjithë ne, për NATO-n dhe gjithashtu për mua”, tha ai.
Stoltenberg, ish-kryeministër norvegjez, u bë sekretar i përgjithshëm i NATO-s në vitin 2014 dhe mandati i tij ishte zgjatur vazhdimisht pasi aleanca nuk arriti të gjente një pasardhës. Por këtë vit, pasi Stoltenberg theksoi se nuk mund të qëndronte më, Rutte fitoi me shpejtësi mbështetjen e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës.
Rutte, një politikan i qendrës së djathtë, ka qenë kryeministër i Holandës për 14 vjet, por tha se do të largohej një vit më parë dhe pritet të zëvendësohet menjëherë pas negociatave të zgjatura të koalicionit për të formuar një qeveri të re holandeze.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co