Lë të fillojnë lojërat përsëri. Lojërat Paralimpike do të fillojnë të mërkurën, më 28 gusht, dhe rreth 4.400 atletë me aftësi të kufizuara, lëndime apo dëmtime të përhershme, janë të gatshëm të garojnë për 594 medalje në 22 sporte gjatë 11 ditëve në Paris.
Në mesin e tyre edhe Grevist Bytyqi, i cili do të bëhet paraatleti i parë i Kosovës që merr pjesë në Lojërat Paralimpike. Kryeqyteti francez, i cili ishte nikoqir i Lojërave Olimpike Verore, përsëri ofron kushtet për atë që pritet të jetë një tjetër spektakël, pasi edhe garat Paralimpike do të organizohen në shumë prej stadiumeve të njëjta. Ceremonia hapëse do të mbahet në sheshin historik “Place de la Concorde”, në të cilën u zhvilluan garat në skateboarding, basketboll 3×3 dhe vallëzim akrobatik.
“Ne jemi në zemër të qytetit”, tha të martën për Associated Press presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik, Andrew Parsons. “Simbolika e kësaj është sikur qyteti i Parisit po ua jep një përqafim të madh atletëve tanë”. Sporti i kalërimit kthehet në Chateau de Versailles, ku do të mbahen garat. Në Grand Palais u zhvilluan garat e skermës në Olimpiadë, tani do të organizohen garat e skermës në karrocë.
Pranë Kullës së Eifelit, ku u mbajtën garat e volejbollit në rërë gjatë Olimpiadës, do të zhvillohen garat e futbollit të të verbërve. “Kemi disa vende ikonike dhe do ta kemi një pamje shumë të bukur”, tha kampioni i Francës në paratriatlon, Alexis Hanquinquant. “Parisi është qyteti më i bukur në botë. Mendoj se do të kemi Lojëra Paralimpike të jashtëzakonshme”.
Nga 22 sportet paralimpike, vetëm dy nuk e kanë baraspeshën e Olimpiadës – goalball dhe boccia. Në goalball, ekipet e lojtarëve të verbër apo me shikim të dëmtuar, e rrokullisin me radhë një top, që përmban brenda zile, drejt portës kundërshtare, ndërsa lojtarët e ekipit duke u mbrojtur veprojnë si portierë. Në boccia, lojtarët e hedhin apo e rrokullisin topin e lëkurës sa më afër një topi të quajtur xhek. Krahasuar me edicionin e kaluar të Lojërave Paralimpike në Tokio, 10 ngjarje të medaljeve janë shtuar për t’u dhënë më shumë mundësi atleteve apo atyre me nevojë shumë të mëdha. Parsons tha se rreth 2 milionë apo 2.5 milionë bileta janë shitur për ngjarje të ndryshme, duke bërë që këto lojëra ta kenë numrin më të madh të shikuesve pas atyre në vitin 2012.
Atletët do të jenë në qendër të vëmendjen nga dita e enjte, dita e parë e grave, kur do të fitohen medalje në sportet si paratekuando, parapinpong, paranot dhe paraçiklizëm. Siç ndodh në Olimpiadë, edhe në Lojërat Paralimpike medaljet fitohen në secilin prej 11 ditëve të garave. Shumë prej atletëve që do të garojnë në këtë lojëra, do të përpiqen t’i mbrojnë titujt. Peshëngritësi paralimpik, Sherif Osman nga Egjipti, do të tentojë ta fitojë medaljen e katër të artë, ndërsa italiania Bebe Vio synon medaljen e tretë radhazi ari në sportin e skermës në karrocë. Pasi u prek nga meningjiti si fëmijë, mjekët ia amputuan të dyja këmbët asaj dhe parakrahët, për t’ia shpëtuar jetën.
Dhe ka edhe rrëfime të tjera nga Parisi. Vrapuesja italiane me shikim të dëmtuar, Valentina Petrillo, do të bëhet gruaja e parë transgjinore që garon në Lojëra Paralimpike kur të garojë në garën e 400 metrave vrapim më 2 shtator. Notarja amerikane Ali Truwit do të garojë këtë vit pasi humbi pjesët e poshtme të këmbëve si pasojë e një sulmi nga peshkaqeni. Notari adoleshent David Kratochvil është shpresa e Çekisë për medalje, i cili e humbi shikimin për shkak të një sëmundjeje të rëndë 10 vjet më parë. Kratochvil, 16 vjeç, luante hokej mbi akull para se të bëhej notar, ku ai e vendosi rekorde botërore në 50 dhe 200 metra shpinë vitin e kaluar./rel
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co