Prokuroria e Tiranës do t’i drejtohet sërish me letërporosi Sllovenisë për të marrë informacion në lidhje me pronarët e makinës që u përdor për të vëzhguar tre viktimat e masakrës te mbikalimi i Fushë Krujës, ngjarje e ndodhur më 17 korrik 2022.
Sipas burime zyrtare pas marrjes së përgjigjes së letërporosisë së mëparshme të dërguar në këtë shtet, por edhe të një tjetre në Kosovë, është parë e nevojshme qe të kërkohen të dhëna shtese në Slloveni që kanë të bëjnë pikërisht me automjetin tip Volkswagen Polo që vëzhgoi Brilant Martinajn dhe dy miqtë e tij Dikler Vata e Besmir Hoxha para se të ekzekutoheshin.
Makina është fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe personat brenda këtij automjeti dyshohet se kanë ndihmuar me informacion atentatorët për lëvizjet e shënjestrave të tyre.
Ky automjet është gjetur i djegur pas ngjarjes dhe raportohet se janë zbuluar disa të dhëna që e lidhin me Slloveninë.
Në Kosovë për të njëjtin automjet është tentuar marrja e dëshmisë së një personi që e ka pasur përkohësisht në pronësi, por ai nuk ka qenë bashkëpunues me autoritetet.
Identifikimi i pronarëve dhe mënyrës sesi makina ka hyrë në Shqipëri mund të ndihmojë hetuesit për të rënë në gjurmët e autorëve të dyshuar të masakrës.
Brilant Martinaj u qëllua për vdekje bashkë me dy miqtë tek mbikalimi i Fushës Krujës.
Pak javë pak vrarjes së trefishtë u zhduk pa gjurmë kushëriri i tij, Ervis Martinaj, i njohur si mbreti i kumarit.
Të dyja ngjarjet, por edhe atentate të tjera ku viktima kanë qenë njerëzit e Ervis Martinajn, janë pa autorë. Motivi i ngjarjeve dyshohet se është larja e hesapeve mes grupeve kriminale që u përplasën për lojërat e fatit.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co