Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar në lidhje me masakrat e serbëve në Suharekë dhe Krushë të Madhe e të Vogël.
Kurti shprehet se në vitin 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi”, për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Kurti gjithashtu ka shkruar për masakrën në Padalishtë të Skenderajt, vrasjet në Landovicë të Prizrenit e në Gjakovë.
Postimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti:
Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.
Në paraditen e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta.
Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.
Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3 vjeҫare, Ismetin 2 vjeҫar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.
Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.
Po atë mëngjes, forcat serbe e sulmuan fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, nga mosha 2 deri 76 vjeçe. Në mesin e tyre 11 gra dhe pesë fëmijë.
Në Landovicë të Prizrenit, më 26 mars 1999, u vranë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Në mbrëmje, në qytetin e Gjakovës, në një shtëpi në rrugën “Ymer Grezda”, forcat e Serbisë vranë me armë zjarri të gjashtë burrat shqiptarë që ishin në atë shtëpi.
Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.
“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kujtesa e Kosovës është e freskët.
Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.
Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë.
Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co