Kosova ka cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu deklaron ish-kryenegociatorja Edita Tahiri. Sipas saj, asnjëherë Kosova nuk ka pasur raporte të tilla me aleatin më të madh të vendit.
Teksa flet për deklarimin e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, Tahiri konsideron se paralajmërimi i tij është alarmant e shqetësues. Ish-ministrja për dialog, fajëson kryeministrin Albin Kurti, të cilin e quan mashtrues e të padijshëm. Në intervistën për KosovaPress, ajo vlerëson se opozita duhet të jetë e bashkuar dhe qytetarët duhet të organizojnë protesta për të kundërshtuar qasjen e tillë të shefit të ekzekutivit me aleatët ndërkombëtarë.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, thotë se nga vet ShBA-të, është thënë hapur që janë cenuar marrëdhëniet mes të dyja vendeve. “Kërcënimi që e bëri zotëri O’Brien është shumë shqetësues, është alarmant. Dhe ata e thanë të hapur që janë cenuar marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Qeverisë së Kosovës, pra Kurtit. Kurrë Kosova nuk ka pasur situata të tilla kaq të rënda, ne u ndëshkuam nga amerikanët me fajin e Kurtit. Por, kjo nuk po i mjafton Kurtit sepse e ka agjendën e vet populiste, është në kërkim të krizave të reja në veri për interesat e pushtetit. Sepse ai ka bërë shumë premtime populiste ndaj votuesve të vet, tash me këto sjellje kërkon që para zgjedhjeve edhe një herë të tensionojë situatën”, deklaron Tahiri. Edita Tahiri, që dikur drejtonte bisedimet me Serbinë në Bruksel konsideron se Kurti është anti-amerikan dhe nuk dihet se ku e ka të kthyer drejtimin.
“Mund të them që niveli i marrëdhënieve mes Kosovës dhe ShBA-së ka shënuar rënie. Natyrisht kjo nuk mund të prek themelet e aleancës strategjike mes Kosovës dhe Amerikës, sepse këto aleanca nuk i ka bërë Kurti. Sepse sapo ka dalë si lëvizje e vendeve, sepse ka qenë anti-amerikan. Madje edhe intervistat e para që i ka pasur kur filloi me Vetëvendosjen, po fliste për imperializmin amerikan. Nuk ishte në gjendje të shoh se po të mos ishte Amerika dhe lufta jonë që e bëmë, nuk do të kishim shtetin. Por, meqenëse ai nuk bëri asgjë gjatë çlirimit apo procesit të çlirimit, dëshiron me një nihilizëm të mos njoh arritjet historike të neve udhëheqësve të rezistencës edhe paqësore edhe të armatosur. Madje, nuk dëshiron të njoh as meritat amerikane sepse nuk dihet ka e ka të kthyer Kurti drejtimin e vet”, shprehet ajo. Megjithatë, Tahiri deklaron se vendimi i institucioneve vendore për ndalimin e dinarit serb është i drejtë. Por, ajo konsideron se është dashur të bashkëpunohet me aleatët për shtyrje të zbatimit.
“Vendimi i institucioneve të Kosovës për çështjen e ndalesës së dinarit, janë vendime të drejta, janë në pajtim me kushtetutën. Se Kushtetuta e përcakton që Kosova e ka vetëm një valutë dhe ne kemi euro-n. Por, kërkesa e amerikanëve ka qenë vetëm të shtyhet zbatimi. Duke bërë shtyrjen nuk është kompromis, përkundrazi është bashkëpunim me aleatët dhe mbrohet Kushtetuta. Duke shtyrë zbatimin, Kushtetuta nuk preket por mbrohet. Mund të ju them që ka mundur ta shtyjë dhe jo ta bëjë si punën e targave që pati dhënë fjalët që do ta zbatojë, pastaj e shtynte me muaj. Njësoj tash po e shtyn, mendoj se ky do ta shtyn deri tek zgjedhjet nacionale, në mënyrë që kur të vjen koha e zgjedhjeve të shes një lloj patriotizmi të harxhuar që ka tashmë me dialogun me Serbinë”, shton ajo.
Ish-ministrja për dialog flet edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku shprehet se për herë parë në histori, Kosova është kritikuar nga aleatët. “Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte një dështim i Kurtit dhe qeverisë. Për herë të parë në historinë e Kosovës shtet, vendet aleate në mbledhje kritikuan, Kurtin por edhe Kosovën në planin global lexohet si kritikë për Kosovën. Ky jo që mori të gjitha ato goditje apo grushte nga aleatët, po e vazhdon kursin e mos-koordinimit, anti-amerikanizmin e vet. Pra, gjendja është alarmante, opozita e bashkuar të flas por edhe qytetarët përmes protestave janë forma për të dhënë mesazhet që ne Kosova dhe populli jemi pro-amerikan por ja që për këtë kohë e kemi një kryeministër i cili çdo mëngjes nga një dështim e bën”, shprehet Tahiri. Sipas Tahirit, shefi i ekzekutivit e ka përgatitur elektoratin e vet me bindjet anti-amerikane. Për cenimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo fajëson kryeministrin Albin Kurti.
“Raportet kanë rënë shumë poshtë për fajin e Kurtit, për mos-dijen, për mungesën e vizionit, madje edhe për mungesën që ka Kurti, nuk ka fare elemente fare të udhëheqësit e as të burrështetasit. Është një politikan i cili hyri me premtime me mëdhaja, ishte politikan që thoshte do të bëjë bashkimin kombëtar, e harroi fare. Ndërsa, tash pra i cenoi edhe marrëdhëniet me Amerikën. A do të ndëshkohemi prapë nuk e di, por mjaft jemi ndëshkuar nga amerikanët, nga shteti që na bëri shtet…Kemi të bëjmë me një kryeministër kontravers, mashtrues edhe për herë të parë në historinë e Kosovës së lirë, Kosova e ka fatin e keq që të ketë një kryeministër të padijshëm, dështues, e dështoi shtetin në dialogun me armikun. Pra, i zbriti të gjitha ato arritje që i kemi pasur historike dhe vazhdon të mos pendohet apo të ri-shqyrtojë këtë rrugëtim të dështuar që po e bën për Kosovën dhe për veten”, thekson Tahiri.
Në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri vlerëson se qeveria ka dështuar jo vetëm në dialog. “Është ditë feste por është ditë reflektimi të arritjeve dhe sfidave që i kemi pasur këto vite, çfarë dështimesh kemi tash, dhe nuk është vetëm dështimi në dialog. Është dështimi në ekonomi, kemi problemin e ikjes përsëri të rinisë. Kemi sfida të tjera që çdo udhëheqje në ditë festash reflekton për të kaluarën, për gabimet por edhe për strategjitë e së ardhmes për ta bërë më mirë Kosovën dhe ardhmërinë e popullit tonë”, përfundon Tahiri.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb. Më pas, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova nuk ka partner, aleat e as mik më të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë gjatë javës që shkoi, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier deklaroi se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co