Bota

Matja përmes satelitit e çlirimit të metanit dhe ngrohja globale

matja permes satelitit e clirimit te metanit dhe ngrohja globale

































Rrjedhja e metanit nga prodhimi i karburanteve fosile është ndër kontribuesit kryesorë në ndryshimin e klimës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh, një studiues i njohur i mjedisit tani shpreson të sigurojë gjetje më të sakta të nivelit të çlirimit të metanit në atmosferë pas lëshimit të një sateliti të avancuar teknologjik.

satelit

Kompania hapësinore SpaceX dërgoi në hapësirë në muajin mars një satelit me teknologji të avancuar për të matur emetimet e metanit në mbarë botën.

Sateliti “MethaneSAT”, me një madhësi përafërsisht të një lavatriçeje, është prodhuar nga kompania “Blue Canyon Technologies” me bazë në Kolorado. Ai do të fluturojë mbi çdo pjesë të Tokës për të matur nivelin e gazit në atmosferë, që ngroh planetin tonë.

“MethaneSAT është një nga satelitët e parë që është në gjendje të matë burimin e emetimeve dhe të monitorojë atë me kalimin e kohës për të parë nëse ka përmirësim apo përkeqësim të nivelit të çlirimit të gazit të dëmshëm në atmosferë”, tha për Zërin e Amerikës Chris Winslett nga kompania “Blue Canyon Technologies”.

Metani i emetuar nga aktiviteti njerëzor shkakton rreth 30% të ngrohjes që po përjeton planeti ynë aktualisht, dhe ky gaz është më shumë se 28 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit në mbajtjen e nxehtësisë në atmosferën tonë.

“MethaneSAT”, i zhvilluar nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit në bashkëpunim me disa partnerë, fillimisht do të përqendrohet në zonat e prodhimit të karburanteve fosile, që janë kontribuesi i dytë më i madh nga njeriu në emetimet e metanit pas bujqësisë.

“Ne kemi udhëhequr përpjekjet për të kuptuar më mirë emetimet e metanit nga industria e naftës dhe gazit për më shumë se 10 vjet. Disa vite më parë, ne arritëm në përfundimin se nuk mund të mblidhnim më të dhëna të mjaftueshme në mënyrë të vazhdueshme mbi nivelin e emetimit të metanit”, tha për Zërin e Amerikës, Steven Hamburg nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit.

Të dhënat do t’i ndihmojnë studiuesit të vlerësojnë se ku duhen bërë reduktimet dhe nga kush.

“Çelësi këtu është mbledhja e të dhënave empirike, me cilësi të lartë, të cilave mund t’u besojmë dhe që më pas mund t’i përdorim për të kuptuar problemin”, thotë eksperti i mjedisit Steven Hamburg.

Sipas studiuesve, sateliti “MethaneSAT” do të ofrojë të dhëna më gjithëpërfshirëse për një industri të vetme.

Publiku dhe studiuesit do të kenë qasje pa pagesë në të dhënat paraprake të satelitit brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts