Matura 2024/ Sot 28 mijë nxënës i nënshtrohen provimit në ‘Gjuhën e huaj’! Mesazhi i ministres së Arsimit: Ja risia e këtij viti

matura 2024 sot 28 mije nxenes i nenshtrohen provimit ne gjuhen e huaj mesazhi i ministres se arsimit ja risia e ketij viti

































Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka adresuar sot një mesazh për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, në ditën e fillimit të Provimeve të Maturës Shtetërore.

maturantet (1)

Përmes një video, Ministrja Manastirliu shprehu urimet më të mira dhe inkurajon maturantët që sot nisin këtë etapë të rëndësishme të jetës së tyre me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, e më pas me gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe lëndët me zgjedhje.

“Sot është një ditë e rëndësishme për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të kryejnë Provimet e Maturës Shtetërore, duke filluar me gjuhën e huaj, gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe më pas me lëndët me zgjedhje. Ky moment shënon përfundimin e një etape dhe hapjen e kapitullit të ri në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe aftësimit tuaj të mëtejshëm,” u shpreh ministrja.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e përpjekjeve dhe sakrificave të nxënësve, duke shprehur besimin e saj se rezultatet e tyre do të jenë të denja për të bërë krenarë mësuesit dhe prindërit. Ajo gjithashtu përmendi masat e reja të ndërmarra gjatë vitit për t’i mbështetur nxënësit në përgatitjen e tyre për provime, përfshirë shpërndarjen e testeve model që nga janari, të cilat kanë ndihmuar maturantët të familjarizohen me strukturën e pyetjeve dhe t’i japin më shumë besim në aftësitë e tyre.

“Një nga risitë e Maturës Shtetërore këtë vit është se ju të parët dhe brezat e tjerë pas jush do të keni mundësinë e gjenerimit të diplomës me vulë elektronike në sistemin e-matura, që është një hap përpara drejt modernizimit dhe digjitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve online,” tha ministrja, duke nënvizuar përpjekjet për një proces provimesh të organizuar dhe të sigurt.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit gjithashtu në fjalën e saj  inkurajoi maturantët që të zgjedhin universitetet shqiptare për të vijuar studimet e tyre.

“Shumë prej jush e kanë vendosur tashmë ku do të studiojnë, të tjerë janë duke e vendosur pikërisht tani, por ajo që dua t’ju them është se sistemi ynë i arsimit universitar, universitetet tona, po ju presin krahëhapur për t’ju mbështetur në realizimin e aspiratave tuaja. Universitetet tona sot ofrojnë një gamë të gjerë programesh akademike që mbulojnë interesat dhe pasionet tuaja. Ato kanë hyrë tashmë në rrugën e ndërkombëtarizimit dhe po lidhin marrëveshje të shumta me universitete të ndryshme në botë për programe të përbashkëta dhe diploma të dyfishta, si dhe për kërkimin shkencor. Ne po punojmë çdo ditë që oferta akademike të jetë sa më e kompletuar dhe tërheqëse për ju, e mbi të gjitha, të garantojë punësimin e secilit prej jush.”

Dhe në fund, Ministrja, Manastirliu inkurajon maturantët që të punojnë fort për realizimin e aspiratave të tyre.

“Të dashur maturantë, guxoni të ëndërroni, punoni fort për të realizuar aspiratat tuaja, gëzoni veten tuaj, familjet, mësuesit tuaj dhe duajeni fort njëri-tjetrin. Te gjithë maturantëve kudo në Shqipëri, Suksese!”, mbyll video-mesazhin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →