Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me deklaratat e ministres Belinda Balluku mbi transportin e mbetjeve toksike.
Në një postim në rrjetin social “X”, Bardhi shkruan se sipas ministres Balluku, Porti i Durrësit nuk ka përgjegjësi për atë që ka ndodhurm, ndërsa shton se sipas saj, kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë.
Bardhi tha se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të përdorë të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje.
Reagimi:
Porti i Durrësit sipas “tortës Belinda” nuk ka asnjë përgjegjësi se çfarë hyn dhe çfarë del prej tij. Sipas Qeverisë kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë. Me pak fjalë, me vetëdeklarim kokaina mund të shënohet si miell; helmi mund të shënohet si bimë kurative; makina mund të shënohet si biçikletë; paratë e pista mund të shënohen si letra higjenike.
Në fakt prej kohës Porti i Durrësit është shëndërruar në një han pa porta, që nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore por nga krimi i organizuar. “Torta Belinda” e di më mirë se kushdo tjetër këtë, prandaj dhe nervozizmi, sulmi ndaj medias e opozitës dhe “faji i mbetur jetim” është e vetmja rrugë që i ka mbetur.
Afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen, mosveprimin apo symbylljen e autoriteteve shtetërore. Edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore që kanë lejuar abuzimin e privatit.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co