Mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB, pritet miratimi i një deklarate për Kosovën, ja për çfarë bëhet fjalë

mblidhet keshilli i sigurimit te okb pritet miratimi i nje deklarate per kosoven ja per cfare behet fjale
mblidhet keshilli i sigurimit te okb pritet miratimi i nje deklarate per kosoven ja per cfare behet fjale

Në diskutimin e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë muaj, do të konsiderohet miratimi i një deklarate, përmes së cilës do t’u kërkohej Kosovës dhe Serbisë t’i shmangin veprimet e njëanshme. Në dokumentin që trajton diskutimet e mundshme përmenden edhe veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, të cilat u kritikuan se ishin të njëanshme si dhe dështimi i palëve për të nisur zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund ta konsiderojë miratimin e një deklarate, ku u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo është përmendur në raportin e organizatës që operon në kuadër të OKB-së, “Security Council Report”, ku pritet të diskutohet për Kosovën këtë muaj.

“Prioritete të Këshillit janë ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i depërshkallëzimit të tensioneve në veri. Ai do të vazhdojë t’i monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën. Për këtë qëllim Këshilli mund të shqyrtojë miratimin e një deklarate presidenciale që u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në raport.

Më tej në dokument përshkruhen zhvillimet e muajve të fundit rreth veriut, si dhe përpjekjet pa rezultat të Bashkimit Evropian për t’i shtyrë palët drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit, raporton media, Koha.net.

Theksohet edhe dështimi i palëve për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore në mesin e komunitetit serb, e cila ndalon përdorimin e dinarit si mjet pagese me para të gatshme.

“Pas dështimit të negociatave, Policia e Kosovës kreu disa operacione që synonin objektet bankare në veri të Kosovës. Më 20 maj ata mbyllën dhe konfiskuan gjashtë zyra të Bankës së Kursimeve Postare Serbe në katër komunat veriore, duke pretenduar përmes një deklarate për shtyp se këto institucione kishin ‘operuar ilegalisht’ dhe se veprimet ishin ndërmarrë për ‘vendosjen e rendit dhe ligjit’. Të nesërmen BE-ja e përshkroi operacionin si ‘përshkallëzues’ dhe tha se bie në kundërshtim me ‘frymën e normalizimit’. Më 31 maj Ziadeh theksoi rëndësinë e shmangies së ‘veprimeve të njëanshme që mund të rrisin tensionet, të rrezikojnë stabilitetin dhe të minojnë besimin midis komuniteteve’”, thotë raporti.

Megjithëse anëtarët e Këshillit janë unikë në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, raporti konfirmon dallimet e thella midis anëtarëve të përhershëm sa i përket Kosovës.

Aty përmendet edhe njohja e kontestuar e njërit prej shteteve anëtare të OKB-së- Sierra Leones, që njëherë e kishe njohur e më pas e kishte tërhequr njohjen për Kosovën.

Çështja e modifikimit të mandatit të UNMIK-ut me synimin e largimit të tij nga Kosova është një tjetër pikë që ndan anëtarët e Këshillit.

Derisa SHBA-ja ka qenë avokuesi më i zëshëm për rishikimin e operacioneve të UNMIK-ut dhe përfundimin e misionit, Rusia ka kundërshtuar çdo ndryshim të mandatit të këtij misioni.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co