Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka zbuluar SMS që i kanë ardhur në platformën e tij të komunikimit në “Signal” ku përmendet emri i Ervis Martinajt dhe kërkoi nga SPAK të hetojë.
Gazment Bardhi, në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme, tregon se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”.
“Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, shkruhet në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK.
Gazment Bardhi shprehet se mesazhet janë janë një tentativë për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës time si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
“Përmbajtja e mesazheve të dërguara, sajimi i rrethanave dhe fakteve të pandodhura, ndërlidhja e emrit tim me individë krejtësisht të panjohur prej meje, synon frikësimin tim për të mos përballur me fakte konkrete të paligjshmërisë subjekte të posaçme apo eksponentë të krimit të organizuar, që janë nën hetim apo verifikim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, theksoi ai.
Gazment Bardhi ka kërkuar nga SPAK verifikimin e mesazheve, sipas tij, me natyrë intimiduese për identifikimin e autorit/ëve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar.
“Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre”, i kërkoi ai SPAK.
Kërkesa e plotë:
I nderuar Z. Drejtues i Prokurorisë,
Më datë 28 Shtator 2024, ora 20:22, në platformën e komunikimit tim “Signal”, në telefonin tim personal, nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”, janë dërguar disa mesazhe elektronike, dokumente qartazi të falsifikuara, emrat e dy shtetasve të përmendur në media si të përfshirë në krimin e organizuar, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme dhe një tjetër i mbetur i vrarë në një atentat në Tiranë, shoqëruar me “urimin” – “të jesh mirë”. Këtyre mesazheve i është vendosur nga dërguesi një kohëzgjatje fshirje prej 1 jave, me qëllim humbjen e mëpasme të tyre.
Duke vlerësuar përmbajtjen e këtyre mesazheve dhe dokumentit bashkëlidhur, që qartazi me sy të lirë dallohet se është i sajuar, çmoj të nevojshme t’ju informoj se për mua këto komunikime janë një tentativë për të më intimiduar në ushtrimin e detyrës time si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, grupit parlamentar më të madh të opozitës në vend. Përmbajtja e mesazheve të dërguara, sajimi i rrethanave dhe fakteve të pandodhura, ndërlidhja e emrit tim me individë krejtësisht të panjohur prej meje, synon frikësimin tim për të mos përballur me fakte konkrete të paligjshmërisë subjekte të posaçme apo eksponentë të krimit të organizuar, që janë nën hetim apo verifikim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor.
Ju jeni në dijeni të faktit se personalisht nga ana ime, apo në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, unë kam denoncuar pranë jush zyrtarë të lartë publik, familjarë të tyre, eksponentë të krimit të organizuar, apo lidhjet ndërmjet tyre. Kjo ngre dyshimin e arsyeshëm që pas tentativës për intimidimin tim apo dërgimit të këtyrë mesazheve, janë subjekte që hetohen nga Prokuroria që ju drejtoni (eksponentë të krimit të organizuar apo zyrtarë të lartë publikë).
Nga ana tjetër, përmes falsifikimit të një dokumenti që supozohet të jetë nën administrimin tuaj apo i atribuohet institucionit tuaj, qartazi synohet edhe diskretitimi i Prokurorisë që ju drejtoni, duke qëne se dokumente të kësaj natyre mund të gjenden vetëm në dosjet në hetimin nga ana juaj. Në këtë kuptim, verifikimi/hetimi i këtij rasti, është jo vetëm në interesin tim për të zbuluar autorët dhe motivet e tyre, por edhe për të ruajtur reputacionin dhe kredibilitetin e institucionit tuaj.
Përsa më lart, kërkoj bashkëpunimin tuaj për të hetuar dhe verifikuar në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre.
Bashkëlidhur ju dërgoj përmbajtjen e mesazheve intimiduese, duke shprehur gadishmërinë time për tu vënë në dispozicionin tuaj menjëherë për verifikimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, duke rikujtuar kohën e shkurtër që dërguesi ka vendosur (1 javë) për fshirjen e përmbajtjes së tyre.
Me respekt,
KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Gazment BARDHI