Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka folur për raportet që ai ka me kryeministrin Edi Rama. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Ndreu thotë se me Ramën nuk është e lehtë të punosh, pasi kërkesat që ai ka janë shumë të larta.
“Rama ka qejf ta stimulojë tjetrin kur e shikon që ec në drejtimin e duhur”, tha Pjerin Ndreu.
Ai thotë se me kryeministrin Rama ka debatuar disa herë, ndërsa thekson që për të kundërshtuar kreun e PS duhet të kesh argumente të forta.
Ndërsa i pyetur për porositë që Rama i ka dhënë për zgjedhjet e 11 majit, Pjerin Ndreu tha se “objektivi është që në Lezhë PS të marrë 4 mandate”.
Pjesë nga intervista
I preferuar i Ramës?
Pjerin Ndreu: Ka një perceptim të gabuar. Me Edi Ramën nuk është e lehtë të punosh. Kërkesat që ai kërkon janë shumë të larta. Që të kapësh ritmin duhet të mendohesh. Unë këtë punë nuk e bëj për Ramën. Unë në 8 pa 10 jam në zyrë. I përkushtohem punës, jo lokaleve dhe ahengjeve. Për shkak të këtij fokusimi gjërat kanë ndryshuar. Rama ka qejf ta stimulojë tjetrin kur e shikon që ec në drejtimin e duhur.
Po debate ka?
Pjerin Ndreu: Unë vetëm kam bërë debat disa herë. Ramën e kundërshton, por duhet argument, jo si të të teket ty. Nëse ai e kupton që argumenti është real duhet t’ja thuash troç atë që ke. Një ditë ka kuptuar që ato që ja kam thënë nuk kanë pasur doza negative. Në këtë moment je në rregull me Ramën.
Për zgjedhjet e 11 majit, çfarë porosie keni marrë nga kryeministri?
Pjerin Ndreu: Edi Rama nuk jep receta si ti të sillesh në qark. Ai normalisht që dizenjon shtyllat kryesore, parimet kryesore. Taktikat pastaj përshtaten në terren. Ai ta le komoditetin që ta luash topin në varësi të specifikave. Nuk të ndërhyn. Rama ulet bisedon, nuk ka bisedues me korrekt se Rama. Ne kemi një objektiv, duam ta dalim 4 me 3 për PS dhe nuk besoj të ketë dilema ky rezultat.
–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot botasot.co