Sipas qeverisë amerikane rreth 8,000 ushtarë nga Koreja e Veriutkanë arritur tashmë në rajonin kufitar rus të Kurskut dhe janë gati për operacione luftarake kundër njësive ukrainase. “Ne mendojmë se në Rusi gjenden rreth 10,000 trupa nga Koreja e Veriut dhe sipas informacioneve të fundit, deri në 8,000 prej tyre janë vendosur në rajonin e Kurskut”, tha ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken.
Qeveria amerikane nuk ka parë ende ndonjë operacion luftarak të trupave koreano-veriore kundër forcave ukrainase, megjithatë ne “supozojmë se kjo do të ndodhë ditët e ardhshme,” tha Blinken.
Rusia i ka stërvitur ushtarët e Koresë së Veriut për beteja me artileri dhe operacionet bazë të këmbësorisë.
Zona e dislokimit të trupave është ende e paqartë
Blinken tha se është hera e parë që prej 100 vjetësh që Rusia fton trupa ushtarake të huaja në vendin e saj. Është e paqartë nëse ushtarët e Koresë së Veriut do të dislokohen për të zhvilluar operacione luftarake në territorin ukrainas apo nëse do të luftojnë në zonat e pushtuara nga Ukraina në Rusi. Sipas diplomatëve të OKB-së, është gjithashtu e mundur që koreano-veriorët të vendosen pas frontit dhe të marrin atje përsipër detyra logjistike.
Trupat koreano-veriore me uniforma ruse
Shërbimi sekret i Koresë së Jugut ka njoftuar disa ditë më parë se ushtarët nga Koreja e Veriut që janë vendosur në Rusi janë të veshur me uniforma ruse dhe u janë dhënë identitete të rreme për të fshehur origjinën e tyre të vërtetë. Presidenti rus Vladimir Putin nuk e mohoi praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut dhe tha se edhe Ukraina mbështetet tek personeli i vendeve të NATO-s.
Pak ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte e quajti bashkëpunimin ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut si “kërcënim për sigurinë indo-paqësore dhe euro-atlantike”./DW