BESNIK BAKIU
Para disa ditësh isha i ftuar për të folur në promovimin e librit të profesorit dhe mikut tim, Bajram Yzeiraj, “Një jetë me Policinë e Shtetit”. Promovimi behej në Akademinë e Shkencave, ashtu siç i takonte profesorit tim të nderuar. Interesi ishte i madh, salla ishte e tejmbushur, kishin ardhur kolegë dhe ishkolegë, personalitete të politikës (ish-kryeministra, ish-ministra) dhe përfaqësues të organeve të larta shtetërore e publike, organeve të drejtësisë, drejtues aktual të Policisë së Shtetit, gazetarë, miq dhe të afërm të autorit. Madje, ishin prezentë edhe kryetari dhe zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave. Kjo ceremoni kishte edhe një koçidencë të bukur, pasi autori përveç gëzimit të botimit më të ri të tij, kishte edhe datëlindjen, bënte 75 vjeç. Profesor Bajrami si gjithmonë edhe në ftesat e shpërndara (siç tha edhe vetë në këtë ceremoni) është i vërtetë dhe i pakompromis, pasi nuk kishte ftuar asnjë nga ata (që megjithëse kishte punuar), nuk e meritonin të ishin.
Libri që u promovua, “Një jetë me Policinë e Shtetit” (Rrëfime të shefit të Policisë) është konceptuar si një libër që rrëfen në formë autobiografike, rrugëtimin personal të autorit së bashku me shoqërinë dhe organizatën e Policisë së Shtetit, nëpër 40 e ca vite në kohë shumë të vështira për të lejuar të jesh një shtetar i mirë, kalorës i ligjit dhe patriot. Pas leximit të këtij libri, unë sot e them me zë të lartë që autori ia ka arritur të jetë një i tillë. Lexuesi që shfleton faqet e këtij libri, shkruar nga një personalitet, i cili tërë jetën ua kushtoi çështjeve të sigurisë, policimit, dhe komunitetit, do të njihet së afërmi me shumë ngjarje nëpër të cilat ka kaluar shoqëria shqiptare dhe veçanërisht Policia në këto periudha të zhvillimit të saj. Libri është shkruar në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme lehtë, ku gjen shumë përkujtime e përmbledhje të ngjarjeve konkrete nga viti 1970 deri në ditët e sotshme. Narracioni linear i kësaj vepre zë fill nga koha e fëmijërisë dhe përfshin udhëtimin e vështirë të një individi, që duket sikur ka lindur për të notuar gjithmonë kundër rrymës, e cila ka qenë e fuqishme, e rrëmbyeshme dhe e pamëshirshme. Është meritë e padiskutueshme e profesor Bajramit, që në asnjë moment të jetës dhe veprimtarisë së tij nuk ka bërë kompromis me antiligjin, frikën dhe padrejtësinë. Këtë ai e pasqyron me angazhimet e vështira, me veprimtarinë e tij për të mbrojtur jo vetëm rendin dhe sigurinë e qytetarëve, por edhe dinjitetin e vet, të kolegëve dhe gjithë organizatës të Policisë. Më mirë me Policinë se sa me partinë – ka qenë motoja e profesorit tim.
Me botimin e këtij libri, i cili është në vetvete edhe rrugëtimi i institucionit të Policisë së Shtetit, autori paraqitet si qytetar dhe si veprimtar shumëdimensional, me ndërgjegje e respekt për historinë. Këtë ai e ndien edhe si përgjegjësi e detyrë, për të sotmen dhe për të ardhmen. Me këtë botim, autori ka meritën e qëmtimit të dokumenteve e të literaturës së posaçme kushtuar ngjarjeve dhe ndodhive kryesore të kohës, madje ka depërtuar në masën e duhur edhe në jetën dhe karakteret e personazheve të kohës. Këtë e ka bërë për të dhënë të plotë dimensionet dhe karakteret njerëzore, që shpesh janë edhe çelësa për të kuptuar e shpjeguar ngjarjet apo edhe enigmat rreth tyre. Autori ka arritur të kapërcejë kufijtë e personales dhe të bëhet një realitet arkivor brenda telajos së madhe të historisë të shoqërisë shqiptare në këto vite.
Profesori im i nderuar, si makinë e të vërtetës, ka kurajën t’i verë emrin e vërtetë që meriton çdo personazhi që ka kontaktuar, apo ka qenë i detyruar të bashkëpunoj, qoftë ai politikan, shtetar i lartë apo drejtues policie. Unë si një nga bashkëkohësit dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë një periudhe të konsiderueshme kohe, jam plotësisht dakord me këto përcaktime. Autori në këtë libër, si një burrë shteti dhe ideolog vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetojë në pulsin e Policisë. Ai nuk mjaftohet me çfarë ka përjetuar, por me përgjegjshmërinë e ndjesës së profesionit vazhdon të hulumtojë dhe japë sugjerime mbi politikat dhe çështjet e sigurisë, për menaxhimin e ndryshimeve dhe sugjeron çfarë duhet ndryshuar. Të lexosh për triumfet, gëzimet, betejat dhe humbjet e dikujt është një përvojë e të mësuarit në vetvete dhe libra si ky kanë një vlerë unike: ato nuk janë thjesht histori të trilluara ose pjesë të imagjinatës, por llogari të vërteta që ndikojnë pozitivisht dhe fuqishëm te çdo lexues. Autori me këtë botim, ia ka arritur qëllimit t’i japë lexuesit jo një libër “të rëndë”, të stilit akademik, të mbingarkuar me analiza e hipoteza, por një narrativë të përzgjedhur nga përjetesa e tij personale dhe nga studimi i shume burimeve dhe dokumenteve arkivore të kohës, të cilat i ka shfrytëzuar deri në detaje. Kjo e bën të lehtë dhe tërheqës leximin e tij. Libri nuk është thjesht kronologji historike ngjarjesh që shoqëron zhvillimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe Policisë së Shtetit në veçanti. Është edhe një galeri e jashtëzakonshme personazhesh historike të 40 e ca viteve të fundit në politikën dhe shtetin shqiptar.
Nëse shkrimi i librave shpesh frymëzohet nga ide dhe libra të veçantë, ky libër ka lindur nga rrethanat reale dhe ngjarjesh dramatike gjatë përmbysjes te një regjimi dhe ngritjes të një shteti të ri. Në fund nuk mund të mos nënvizoj vulën personale të rrugëtimit historik të autorit dhe këtu ai sjell një risi, që e ka origjinën në kulturën e tij si mësimdhënës. Në libër në shumë raste gjen momente të ndërthurjes të përshkrimit historik me përjetimet personale të tij, rreth ngjarjeve vite më vonë e deri në ditët tona. Ai krijon një lidhje organike mes historisë dhe aktualitetit, bën të flasin e shkuara dhe personazhet e saj me kohën e sotme e problemet e saj. Para se ta mbyll, nuk mund të rri pa përmendur pengun e profesorit për heshtjen që shoqëroi daljen në pension të tij nga Policia e Shtetit, duke kërkuar falje dhe ndjerë bashkëfajtor (pa faj). Bajram Yzeraj me karrierën e vet shumë të larmishme, nga A te ZH, nga punonjës policie i nivelit zbatues në drejtues i lartë policie, drejtor akademie deri në ministër dhe zëvendësministër, ka lënë gjurmën e vet. Për fat të keq, ky nuk është rast i veçuar në këtë organizatë, prandaj përfitoj nga rasti, duke besuar se flas edhe në emër të profesor Bajramit t’u apeloj drejtuesve të rinj të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit:
-Bëhuni avokatë dhe jo prokurorë të organizatës dhe punonjësve të saj, duke ndërtuar politika parandaluese dhe jo ndëshkuese, pasi në gjykimin tim, Policia e Shtetit (me gjithë problematikat e shumta që ka) në këto 30 e ca vite është organizata më e mirë në shoqërinë shqiptare dhe punonjësit e saj janë më të përkushtuarit ndaj detyrës si dhe më të vetësakrifikuarit.
-Luftoni për t’u dhënë të gjitha të drejtat që u njeh dhe u jep ligji punonjësve të policisë.
-Përpiquni ta bëheni sa më komunitare mes vedi këtë organizatë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit në të mirë e të keqe; në fillim pune, ecurie në karrierë e dalje në pension; në lindje, datëlindje apo vdekje, gjeste këto që do ta bënin edhe më humane organizatën tonë.
-Mos i dëgjoni “sirenat” e Odisesë, por verifikoni faktet dhe ballafaqoni çdo opinion e çdo pëshpëritje dashakeqe kundrejt punonjësve të Policisë së Shtetit.
-Përpiquni të krijoni kushte sa më dinjitoze të kuadrit ligjor dhe të mjediseve të punës për punonjësit e policisë, jo vetëm për pagat dhe uniformat, por edhe për kualifikimet dhe postet e punës, e çdo gjë tjetër që në dukje është vogëlsi, por që atyre u jep dinjitet.
Në përfundim dua të shpreh falënderimet edhe për shtëpinë botuese “Naimi” dhe mikut tim Naim Zoto, (i cili ka qenë edhe kryeredaktor i parë i gazetës ALBAPOL) për kujdesin e veçantë në botimin e këtij libri.
Jetë të gjatë Profesor!
/Gazeta Panorama/