“Më mirë vdekje e lirë se sa turp dhe robëri”/ Çfarë shkroi Mit’hat Frashëri për Sulin dhe suljotët në vitin 1912: Ata njerëz trima a e dinë se janë shqiptarë?

me mire vdekje e lire se sa turp dhe roberi cfare shkroi mithat frasheri per sulin dhe suljotet ne vitin 1912 ata njerez trima a e dine se jane shqiptare





































ENVER KUSHI/ Vite më parë, në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, pata fatin të shfletoja revistën “Diturija”, themelues i së cilës është Mit’hat Frashëri. Ditë dhe javë të tëra u njoha me një nga botimet shqiptare më serioze të kulturës shqiptare. Kam lexuar dhe rilexuar edhe librat “Udhëtarët e huaj në Shqipëri” (gjer në fund të shek XIX) të Lumo Skëndos apo “Mit’hat Frashëri, Ministër Fuqiplotë Athinë (1923- 1926)”, përgatitur falë punës pasionante të Prof.Dr.Luan Malltezi dhe Sherif Delvina. Instituti që mban emrin e Mit’hat Frashërit, drejtuar nga Uran Butka, ka botuar dhe vazhdon botimin e kolanës të veprës të këtij dijetari të madh.

MixCollage-19-Aug-2024-11-11-AM-7223

Unë kam një ndjeshmëri apo detyrim ndaj personalitetit të Mit’hat Frashërit, që lidhet me Çamërinë, rrënjët e të parëve të mi. Çamëria, me historinë, kulturën, trashëgiminë, por edhe me dramën e saj, është pjesë e veprimtarisë krijuese shkencore dhe diplomatike të tij. Krahina e të parëve të mi është njëkohësisht një nga brengat e mëdha të Mid’hat Frashërit. Bindesh për këtë po të lexosh librin “Mit’hat Frashëri, Ministër Fuqiplotë Athinë (1923- 1926)”. E them me bindje, se që nga momenti që ai shkeli në tokën greke me detyrën e re (28 shkurt 1923) e deri sa dha dorëheqjen në muajt e parë të vitit 1926, në mbrojtjen e çështjes çame dhe përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka bërë atë që nuk e kanë bërë të gjithë ambasadorët shqiptarë që nga viti 1926 e deri më sot. Kjo sepse ai kishte një epërsi që nuk e kanë pasur pasardhësit e tij: kulturën e gjerë, njohjen e shkëlqyer të historisë dhe kulturës së madhe të Greqisë, si dhe kurajën për të thënë të vërtetat dhe demaskuar synimet e politikës shovene të qarqeve ultranacionaliste greke. Mit’hat Frashëri kishte miq të shumtë në Athinë, personalitete të politikës dhe kulturës së madhe greke.

Çamëria, popullsia e saj martire e të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes, i janë dhe do t’i jenë mirënjohës Mit’hat Frashërit. Të gjitha këto mendime dhe vlerësime modeste për veprimtarinë e Mit’hat Frashërit, më erdhën ndërmend këto ditë, kur rilexova një nga rrëfimet më të bukura e të ndjera, por edhe aktuale të tij, “Suljotët”. Rrëfimi në fjalë (unë do ta quaj reportazh të shkurtër, ndoshta skicë, siç e përcakton Prof Dr Emil Lafe), është përfshirë në librin e Lumo Skëndos (pseudonimi i Mit’hat Frashërit) “Hi dhe Shpuzë”, botuar në vitin 1915, në shtypshkronjën “Mbrodhësia” të Kristo Luarasit në Sofje. Vepra është botuar në vitin 1995 me të njëjtën emër dhe përgatitur, nga prof Nasho Jorgaqi.

Skica “Suljotët”, sipas shënimit të vënë në fund të saj, është shkruar më 30 qershor 1912, në Zafranboll. Sipas të dhënave që jep autori, që në fillim të skicës, Zafranbolli është një qytet në Anadoll, i humbur në një gropë “dhe plot konopë tani në verë”. Me penelata të shpejta, frazë të saktë dhe lakonizëm të admirueshëm (duket se është shkruar me një frymë), autori shpalos një dramë të tërë: zhbërjen e një prej viseve më epike të Shqipërisë dhe banorëve të saj: Sulit dhe suljotëve. Nuk kemi përshkrim të betejave apo heroizmit të suljotëve, as të vrarë. As të plagosur. As vaje apo kuje të nënave suljote. E megjithatë lexuesi ndjen në thellësi, si gjëmime të largëta bubullimash apo dallgë detrash, ulërima.

Qindra kilometra larg Sulit, në Anadollin e largët, shfaqet befas trupi dhe shpirti i plagosur në zhbërje i Sulit: vajzat e vogla të shkollës greke të qytetit Zafranboll këndojnë e kërcejnë vallen e famshme të Zallongut, jo në gjuhën shqipe, jo në dialektin çam të suljotëve, por në gjuhën greke. Autori befasohet, pastaj …” zemra ime përnjëherë më ngushtohet dhe mejtime të hidhura më sulen në mendje”. Lumo Skëndo hesht vetëm një çast, për të rikujtuar vizitën e tij në Sul në vitin 1909, ku “një helm i madh më pritte: atje pashë një të keqe, një mëkat që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku, jo shqiptarëria, por edhe shqipja ka zënë të harrohet”.

Rrëfenja, ose më saktë skica “Suljotët”, që botojmë dhe që njihet pak ose aspak nga lexuesi shqiptar, të vë në mendime dhe të trondit me të vërtetat që kumton. Javët e fundit, në një të përditshme të Tiranës, u botua një shkrim nga një politikan i njohur i Kosovës, për Sulin dhe suljotët. Ai rrëfen rrugëtimin e tij në malet e Sulit dhe ndjen nëpërmjet këtij rrëfimi, braktisjen e kësaj krahine heroike. Është për të ardhur keq që personaliteti në fjalë, në asnjë rresht të këtij shkrimi, nuk nënvizon se Suli si krahinë është pjesë e Çamërisë, ose banohej nga çamë të krishterë. Lidhur me këtë dua të citoj nga njohësit më të mirë të historisë dhe gjeografisë së Çamërisë, Hajredin Isufin: “Historiani grek Jani Kordhato, në veprën e tij disavëllimshme, kur bën fjalë për të folmen e suljotëve të krishterë shkruan: “Suljotët ishin të krishterë nga raca e çamëve dhe nuk e dinin fare greqishten. Marko Boçari, Kapedani i Sulit, filloi të mësonte greqisht në vitin 1809, në Korfuz dhe atje hartoi edhe një Fjalor Greqisht-Shqip”.(Hajredin Isufi “ÇAMËRIA, Studime Historike-Sociologjike shek.XIIIXX”, fq.34)

Njëqind vite pas rrugëtimit të Mit’hat Frashërit në viset mitike të Sulit, pata fatin të rrugëtoj edhe unë atje. Nuk do ta harroj kurrë këtë rrugëtim nga më emocionuesit, por edhe nga më të dhimbshmit që kam bërë. Atje heroizmi i dikurshëm, qëndresa, këngët, vallet, kishin formën e gurit. Edhe zërat njerëzor dukej sikur kishin ngrirë. Braktisja këtu ishte uluritëse. Shtëpi të braktisura gjysmë të rrënuara ose të rrënuara. Puse. Muret e një kështjelle në bregun përballë Sulit dhe hone të frikshme. Dhe ndërsa vështroja këtë peizazh si në fillimbote, befas më erdhi ndërmend kujtesa popullore çame për Sulin, këngët për suljoten e bukur, vallja e Zallongut, kënga për Marko Boçarin ose Marko Çamërinë, siç thuhet në këngët çame. Më erdhën ndër mend poezitë e bukura të shkruara për Çamërinë nga Ali Podrimja, në vitin 1986, kur poeti ishte për pushime në Pargë dhe njohu e preku nga afër viset çame, qiellin dhe detin e tokës mitike, si dhe dhimbjen ulëritëse, që ishte dhe është e prekshme në ato vise.

M’u kujtua edhe skica “Suljotët” e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) dhe m’u bë sikur dëgjova zërin e tij: “

… Atje pashë një të keqe, një mëkat që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku jo shqiptaria, po edhe shqipja ka zënë të harrohet.” Ishte i vetmi zë në atë shurdhëri dhe shkretim me emrin Sul. Në fund po shtoj edhe diçka tjetër, që lidhet me të parët e mi: Ata janë me origjinë nga Suli, prandaj kur isha atje, gjaku më lëvizte ndryshe dhe m’u shfaqën hijet e tyre, si dhe zërat, që nuk e di nga më vinin. Mbaj mend, që u shkëputa nga grupi i xhirimit, hyra në një kishë të vogël dhe ndeza një qiri për të parët e mi suljotë. Bëra edhe kryqin për të nderuar kujtimin e tyre.

LUMO SKËNDO

(MIT’HAT FRASHËRI) SULJOTËT

Kam një javë këtu në Zafranboll, në këtë qytet të Anadollit, të humbur në gropë, të nxehtë dhe plot konupe tani në verë. Lumtërisht kam fatnë të gjej një ndënjtje të mirë me një kopsht të bukur rreth e rrotull në këtë mëhallë të krishterë, që njerëzia – ngaqë të dy fetë s’piqenë dot – e shikojnë si një pshat veçan dhe e quajnë Keran- Qoj. Nga penxheret shoh dy vargje malesh të ndarë me një grykë, atë që kam përpara të xveshur dhe gurishte, me anë të djathtë male të zez tërë drurë, pyje të thellë. Nga penxherja tjatër shoh majën e kishës Shënt Stefan, Aja Theodhora e moçme, e cila dhe mbase i ep emërin e qytetit (Theodhorian Polin – Zafranboll).

Kajmekami, miku im z. Kadri Përmeti, më tha që dje se do të vemi në shkollë greqisht të çupavet, të ndodhemi në provimet e tyre, dhe me gëzim e pranova ftimin e tij….

Në sallë të shkollës janë radhitur nja tridhjetë çupa, në rreshtat e para; prapa tyre janë djemtë, në mes të tyre disa gjashtë apo shtatë vjeç, po dhe dymbëdhjetë e trembëdhjetë. Provimet rrjedhin mi dhe shkronjë, gjuhë tyrqisht, frëngjisht, orthografi ; nxënësit përsëriten përpara pllakës së zezë dhe kushdo prej të ftuarvet ka të drejtë të pyesë.

Unë po vë re. “Çupat që kam përpara janë të krehura mirë, të kujdesura, të veshura të gjitha me një mënyrë: rroba të bardha me kordhela të kaltërta: ngjyrat e Greqisë! Edhe më vjen keq për këto çupa, për këta djem dhe për mëmat e atërit e tyre që janë radhitur afrë murit, më të djathtë e më të mëngjër, më vjen keq për këtë njerëzi pa kombësi, pa gjuhë: flasin vetëm tyrqisht, janë fjesht anadollakë, s’di njeriu nga çkombësi janë, dhe duan të rrëfehen grekër! S’kanë as hisori, as kujtime të moçme, as nonjë ndjenjë të tanishme, dhe duan të ngushëllohen me një shtet të vogël atje poshtë, me Greqinë e largët, se ashtu ua do feja, ashtu u ka thënë kasha dhe dhaskali. Edhe vërtet më vjen keq si për jetimë, si për djem pa mëmë, pa baba, pa shtëpi, dhe them: kur s’janë gjësend, dobare le të thonë që janë grekër.

Po dal! Çupat tani më s’po pyeten, kanë zënë e kërcejnë. Ç’është kjo valle, kjo këngë e njohur? “Lamtumirë o jetë e ëmbël…. Suljotka! … “në gjuhë greqisht.

Këng e Sulit! Këng e shqipëtarkavet, këng e vendit tim edhe krahërori më fryhet, zemra më mallohet, më vjen dhe mua t’ia dredh një herë , a t’ia marr me to.

Këng e Sulit! Po shoh ato shqipëtarka trimëresha, ato gra zemër luaneshe, vallen e tyre mi shkëmpt, varur mi rripët, një valle vdekjeje, një zë i qiellit dhe i varrit.! Ushtarët e Ali Tepelenës po afrohen, po sulen, po gratë këndojnë, dridhen, të zëna prej dore, dhe ay vark më çdo grimë humbet nga një shpirt, edhe një nga një gratë lëshohen poshtë shkëmbit, hidhën në greminë, në skëterrë, në gojë të vdekjes që i kapërcen një nga një. Edhe vdesin me këngë në gojë, pa u dredhur zemra e tyre.!

Më mirë vdekje e lirë se sa turp dhe robëri, na fjala e këtyre shqipëtarkave, e sulotkave me kujtim të pavdirshëm, që i japin një emër të përmotshëm kombit tonë, që trimëri e tyre do të inspirojë gjithnjë poetët e gjithë kombeve! Suljotët, një grusht njerëz, që kanë mbushur me famën e tyre faqet më të shkëlqyera të historisë së tanishme, që kanë lënë kujtime trimërie të paharruar!

Edhe e ndjeva veten time fatore të jem nga kjo racë, nga ky popull, nga ky dhe, nga këta shkëmbinj që nxjerrin të tillë njerëz, të tilla gra. Edhe krahërori m’u fry edhe një herë duke dëgjuar këtë këngë, këta emra, duke parë këtë valle këtu në këtë qytet të Anadollit.

Po pse zemra ime përnjëherë më ngushtohet dhe mejtime të hidhur më sulen në mendje? A është pse këta suljotë kanë derdhur gjakun e tyre kaq të famshëm për një çështje të huaj, për një komp që s’ish i tyre? Jo, s’është ky mejtim që më hidhëron kështu, se e di, e kam ditur, dhe gjithë bota e di që dhe këta shqiptarë, si kaq të tjerë, si edhe Sina Pasha, a Qypruliu, a Mehmed Aliu, kanë shërbyer një kauzë jo të tyren!

Ajo që më hidhëron është Suli i sotmë.

Ku je, o Sul? N’ato rripat e tua ata njerëz trima a e kanë akoma atë zemër trime, a e dinë që janë shqiptarë, që gjaku shqiptar rreh në rrembat dhe në zemrat e tyre?

Tre vjet po bëhen, kur qeshë në Shqipëri vajçë nga Llura në Llakë të Lelovës, në këtë copë të Sulit. Po sa një helm i madh më pritte: atje pashë një të keqe,një mëkatë që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku, jo shqipëtarëria, po dhe shqipja ka zënë të! Si tani po e shoh atë djalë mi mur të Papadhates, kur m’u përgjigj greqisht fjalës shqipe. – Kush të tha që të mos dish shqip, or bir? – O dhaskalos, më tha djaloshi, pa ditur se ç’të vërtetë të helmshime po thosh!

Ah, jo! E kuptoj që këta anadollakë të gjorë, këta jetimë të varfër të thonë se janë grekër. Po ne, ne shqiptarët, me kujtime, me histori të shkëlqyer, me fytyra dhe emër të ndershëm, ne të themi se jemi grekër, këtë s’ma pret dot mendja!

Edhe nuk di, në duhet të kem një cmir të vdekshim për atë “o dhaskalos”, apo në duhet të më vijë keq për atë djalosh edhe për prindët e tij?

Zafranboll, 30 qershor 1912./ /Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →