Për investime të mëdha publike, qeveria ka të drejtë të përdorë edhe pronat e qytetarëve kundrejt dhënies së një kompensimi ose shpronësimi, bazuar në vlerën e hartës së pronës.
Nëse deri dje, e vetmja formë ishte ajo në vlerë financiare, nga ky vit, kompensimi mund të bëhet edhe nga fondi fizik i tokave që ka shteti. Gazeta zbardh vendimin e qeverisë, rastet kur aplikohet dhe procedurën që ndiqet për shpronësimin me truall apo, siç në vendim citohet, “shpërblim në natyrë”.
Në jo pak raste, vlera financiare e shpronësimit të pronarëve për të kryer një investim është e barabartë ose e tejkalon vlerën e këtij të fundit duke bërë që qeveria të stepet nga projekti. Për këtë arsye është menduar si zgjidhje ofrimi i një shpërblimi alternativ, kompensimi jo vetëm në të ardhura, por edhe me tokë ose “në natyrë”, siç thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rasteve dhe të rregullave për shpërblimin në natyrë të shpronësimeve për interes publik”.
VENDIMI
Përmenden dy rastet e zbatimit të vendimit të sipërcituar. Së pari, kur vlera e shpronësimit është shumë e lartë në raport me vlerën e fondit buxhetor të shpronësimeve si dhe në rastin e dytë, kur pronarët e pronës që shpronësohet nuk kanë njësi tjetër banimi në pronësi dhe kanë nevojë në strehim. Referuar kësaj të fundit, shteti ose investitori në këtë rast mund t’u sigurojë një banesë nga fondi i saj.
Kur vlera e shpronësimit është tejet e lartë si në rastin e parë, qeveria mund të marrë pasurinë e paluajtshme ku investohet duke e shkëmbyer me një tjetër në pronësi të shtetit me të njëjtën vlerë me pasurinë që shpronësohet. Forma e dytë mund të jetë ajo e kompensimit në para dhe fond fizik toke. Përjashtim bëjnë pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit, që ndodhen në zonat bregdetare, zonat për zhvillimin e turizmit dhe pasuritë e tjera që ndalohen për t’u tjetërsuar.
Për të aplikuar këtë skemë kompensimi, duhet të jetë investitori ai që bën kërkesën për ata që preken nga projekti, shoqëruar me dokumentacionin përkatës. I pari është argumentimi i mungesës së fondeve për shpronësim apo raporti me vlerën totale që kërkohet përmes të cilës nevojitet shpronësimi në natyrë. Po ashtu, duhen aktet kadastrale ku të pasqyrohen referenca të plota lidhur me zonën kadastrale dhe të dhënat e tjera të pasurisë e po ashtu konfirmimin me shkrim të organit kompetent për pasurinë që do përdoret për shkëmbimin në natyrë. Përpos investitorit, mund të jetë edhe pronari që preket nga projekti kërkues i shpërblimit në natyrë. Këtë mund ta bëjë përmes kërkesës së posaçme pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësim. Në këtë rast, është kjo e fundit që ndjek gjithë procedurën deri në nënshkrimin e marrëveshjes.
PROCEDURA
Komisioni i ngritur posaçërisht për shpronësimet lidhur me pasuritë shtetërore do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për shpronësim dhe dokumentacionin e paraqitur brenda pesë ditëve pune. Në rast se kërkesa dhe dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë ose i saktë, komisioni i kërkon subjektit kërkues plotësimin e dokumentacionit brenda pesë ditëve pune nga marrja dijeni. Po aq kohë duhet edhe për të bërë vlerësimin e pasurisë që shpronësohet dhe në fund vendos dy versione: shkëmbimin e pasurisë së paluajtshme me një tjetër ose me kombinimin pasuri e paluajtshme plus një vlerë të caktuar financiare. Pronarët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në një hark dy javor, ndërkohë që pas miratimit të vendimit kryhet procedura për lidhjen e marrëveshjes mes pronarit dhe ministrisë për administrimin e pronave shtetërore ose bashkisë përkatëse. Pas këtij hapi, pronari s’ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin, ose më qartë mosdakordësia e tij nuk bën asnjë efekt.
“Mosnënshkrimi i marrëveshjes nga pronari i pasurisë pronë private pas dhënies së pëlqimit dhe miratimit të vendimit të shpronësimit nga Këshilli i Ministrave nuk e pengon kryerjen e procedurës së shpronësimit”, citohet në vendimin e qeverisë, në të cilin shtohet më tej se pasuritë e shkëmbyera duhet të regjistrohen në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës brenda një muaji nga lidhja e marrëveshjes.
LLOGARITJA E VLERËS
Përllogaritja e vlerës, si për pasuritë pronë private që shpronësohen, edhe për pasuritë në pronësi të shtetit, bëhet duke iu referuar çmimeve që zbatohen në procedurat për shpronësim, për interes publik. Referuar vendimit, në totalin e vlerësuar futen edhe investimet e kryera me leje në këto pasuri, si mbi dhe nëntokë, me përjashtim të ndërtimeve pa leje.
Kur vlera e përllogaritur është më e ulët se ajo e pronës, pronari merr diferencën. “Në rast se pasuria pronë private që shpronësohet rezulton me vlerë më të lartë se pasuria pronë shtetërore që do të shërbejë për shpërblimin në natyrë, subjekti, pasuria e të cilit do të shpronësohet, përfiton diferencën në vlerë financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, citohet në vendimin, i cili parashikon, gjithashtu, edhe të kundërtën, që në këtë rast është pronari ai që duhet të paguajë diferencën.
“Në rast se pasuria pronë private, që shpronësohet, rezulton me vlerë më të ulët se pasuria pronë shtetërore, që do të shërbejë për shpërblimin në natyrë, subjekti, prona e të cilit do të shpronësohet, do të paguajë diferencën në vlerë financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për pronat e paluajtshme shtetërore”.
Vlera financiare shtesë që duhet të paguajë pronari i pasurisë, pronë private, sipas pikës 3 të këtij neni, parashikohet si detyrim në marrëveshjen që lidhet ndërmjet pronarit të pronës private dhe ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore. Nënshkrimi i marrëveshjes nënkupton dhënien e pëlqimit dhe të dakordësisë nga ana e pronarit të pasurisë së paluajtshme pronë private.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co