Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen se tentuan të shisnin një pistoletë, që e kishin marrë nga Kosova dhe e sollën në Tiranë. Në kuadër të operacionit “Transportuesi 4” u arrestuan Rijad Fazliu dhe Arblend Aliu.
“Në zbatim të masave të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Transportuesi 4”. Transportuan një armë zjarri, nga Kosova, me qëllim shitjen e saj te persona të tjerë në Tiranë, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, krëhri me municionin luftarak, një silenciator, një automjet dhe një aparat celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për dy shtetas që dyshohej se kishin transportuar një armë zjarri pistoletë, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi 4”.
Si rezultat i tij, në rrugën “Dritan Hoxha”, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:
– R. F., 19 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, dhe një silenciator, që ishin sjellë në Shqipëri për tu shitur tek persona të tjerë.
Arma e zjarrit, krëhri, municioni luftarak, silenciatori, automjeti dhe një aparat celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, thuhet në njoftimin e policisë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co