Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sot 300 ditë që ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për korrupsion.
Në tubimin në “Rrugën e Shpresës”, Berisha ka deklaruar se këto 300 ditë kanë qenë ditët e betejës më intensive, më të motivuar të gjithë jetës së tij politike.
“Në këto 300 ditë së bashku me ju, falë mbështetjes tuaj, kam patur fatin e madh të luftoj më i motivuar se kurrë për vlerat dhe idealet fisnike që ndajmë me njëri-tjetrin, që ndajmë me shqiptarët, por edhe me njerëzit e lirë, në Shqipëri dhe mbarë botën”, tha ai.
Ndër të tjera, kreu i PD-së tha se ai u shpall ‘non grata’ vetëm e vetëm se mbrojti interesin kombëtar.
“Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare që shpalli ‘non grata’ Sali Berishën vetëm e vetëm se mbrojti interesin kombëtar, e bënë atë në mënyrë të panevojshme, më krenar për qëndrimet e tij, më shumë se kurrë”, tha Berisha.
Deklarata e Berishës
Të dashur miq! Sot u bënë 300 ditë që Edi Rama urdhëroi parlamentin dhe mercenarët e tij të Skapit, të vendosin arrestin tim në shtëpi, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë shkelje ligji, po vetëm e vetëm si kundërshtar politik që i tmerron ata dhe mafien ndërkombëtare.
Mafia ndërkombëtare, diplomatë të korruptuar që bënë grushtin e shtetit kundër opozitës shqiptare, vetëm e vetëm që të gjitha pushtetet ti kishte narkodiktatori, vegël e shpifur e tyre, Edi Rama dhe që po me këtë skenar, kërkuan publikisht persekutimin e Sali Berishës sikur Shqipëria të mos ishte një vend sovran, partner, anëtar i NATO-s, por thjeshtë një vend vasal për ta trajtuar atë si një koloni.
Por miqtë e mi, Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare që shpalli ‘non grata’ Sali Berishën vetëm e vetëm se mbrojti interesin kombëtar, e bënë atë në mënyrë të panevojshme, më krenar për qëndrimet e tij, më shumë se kurrë.
Ata bënë gjithçka me Edi Ramën për ta arkivuar Sali Berishën në banesën e harresës, madje shkuan gjer aty sa tu tregojnë atyre që përmbysën diktaturën më staliniste të Europës, barin që u tregonte Enver Hoxha, por me të gjitha këto dështuan në turpin e tyre të thellë.
Miq! Vendosja e Sali Berishës në arrest shtëpie, pasi dështuan ti caktojnë kryetarit opozitës, dhe ta shndërrojnë opozitën në një stoli të narkodiktatorit Edi Rama, kishte si qëllim të vetëm ndyrjen e tij në banesën e harresës.
Por dështimi i Edi Ramës dhe mafies së Xhorxh Sorosit, këto 300 ditë është më i turpshmi në tërë historinë e lirisë së një vendi.
Ata dështuan miqtë e mi, sepse këto kanë qenë ditët e betejës më intensive, më të motivuar të të gjithë jetës time politike.
Në këto 300 ditë së bashku me ju, falë mbështetjes tuaj, kam patur fatin e madh të luftoj më i motivuar se kurrë për vlerat dhe idealet fisnike që ndajmë me njëri-tjetrin, që ndajmë me shqiptarët, por edhe me njerëzit e lirë, në Shqipëri dhe mbarë botën.
Këto 300 ditë ishin ditët që ne morëm bekimin e Zotit si misionarë të vërtetë të një kauze të drejtë, kauzës së dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, dhe ne dëshmuam se nuk ka forcë në botë që mund të na mposhtë ne të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që mbrojmë një kauzë të drejtë.
Të dashur miq, këto 300 ditë ne së bashku nderuam luftën, betejën, misionin tonë.
Zoti ju bekoftë!