Mediu në OSBE: Vendet anëtare të NATO-s në Ballkan të bashkëpunojnë kundër agresionit rus

mediu ne osbe vendet anetare te nato s ne ballkan te bashkepunojne kunder agresionit rus
mediu ne osbe vendet anetare te nato s ne ballkan te bashkepunojne kunder agresionit rus

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të parandaluar një konflikt të mundshëm, të nxitur nga Rusia. Mediu, që përfaqëson Kuvendin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, e mbajti këtë qëndrim gjatë Sesionit Vjetor të Organizatës në Bukuresht. Të mbledhur për të diskutuar rolin e OSBE-së në arkitekturën aktuale të sigurisë, shqetësimi kryesor i Asamblesë Parlamentare ishte lufta në Ukrainë dhe ndikimi në sigurinë e Europës. Duke theksuar se Rusia ka 16 vjet që po sulmon vendet e tjera, që prej konfliktit me Gjeorgjinë, më pas Krimea dhe tani Ukraina, Mediu vuri në dukje qëndrimin e Shqipërisë pro Ukrainës. “Si vend anëtar i NATO-s, ne qëndruam përkrah aleatëve tanë dhe shpresoj që Samiti i NATO-s në Uashington do të sjellë më shumë bashkëpunim të frytshëm në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm për të ndërtuar mbrojtjen e tyre, por për të fituar luftën kundër së keqes.”, -tha zoti Mediu në Sesionin Vjetor të OSBE-së në Bukuresht.

Po ashtu Kongresmeni Joe Wilson Kryetari i Komitetit Helsinkit në Kongresin Amerikan në mbështetje të qëndrimit të Mediu kërkoj më shumë vëmendje për Ballkanin.

Me qartësinë se agresioni i Rusisë nuk është i përqendruar vetëm në Ukrainë, zoti Mediu ngriti shqetësimin e veprimit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan përmes luftës hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit. “Situata në Moldavi provon se qëllimi i Rusisë nuk është vetëm Ukraina. Vendet e Ballkanit, janë fortësisht të ndikuara nga lufta hibride nga Rusia, Kina, Irani, që përpiqen të ushqejnë konflikte të reja dhe të fjetura. Situata në Bosnjë Hercegovinë situata në Mal të Zi, situata në Veriun e Kosovës kërkon më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje të OSBE dhe të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.”- u shpreh Fatmir Mediu, duke propozuar si zgjidhjen më të mirë bashkëpunimin në rajon, veçanërisht mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. “Në mënyrë që të ndalojmë çdo konflikt të mundshëm në Ballkan, unë besoj se është koha që vendet e NATO-s në Ballkan të punojnë së bashku për të ndërtuar strategjinë e parandalimit politik dhe ushtarak.”- theksoi Mediu gjatë fjalës në Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare që po mbahet në Rumani.

Në fund të debateve, Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së do të kulmojë me miratimin e Deklaratës së Bukureshtit, e cila përmban rekomandime në fushën e sigurisë dhe të drejtave të njeriut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →