Gruaja e presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, ka vendosur të mos pranojë ftesën e “zonjës së parë” të SHBA në largim, Jill Biden, për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të vizitës zakonore që zhvillohet pas zgjedhjeve çdo katër vjet.
Gruaja 53-vjeçare e Trump thuhet se është e zemëruar pasi FBI bastisi shtëpinë e çiftit në Mar-a-Lago, Florida me kërkesë të administratës Biden, si pjesë e hetimit të qeverisë federale për dokumentet e klasifikuara.
“Melania Trump nuk do të zhvendoset në Shtëpinë e Bardhë”, raportoi CNN.
Më pas, një burim i njohur me familjen Trump i tha Neë York Post: “Burri i Jill Biden autorizoi FBI-në të kërkonte në sirtarin e saj të të brendshmeve. Bidenët janë të neveritshëm”.
Melania vendos përgjegjësinë e plotë mbi demokratët për ndjekjen gjyqësore kundër bashkëshortit të saj dhe në të njëjtën kohë, beson se politika përçarëse e administratës Biden është përgjegjëse për të dyja tentativat për vrasje ndaj tij.
Duke refuzuar të takojë Jill Biden në Shtëpinë e Bardhë, Melania dëshiron të dërgojë një mesazh tjetër, se nuk është në gjendje të lërë pas vitet e fundit të përjetuara si nga ajo, ashtu edhe nga familja e saj, komenton gazeta britanike Independent.
Vihet re se ish-modelja nga Sllovenia tashmë e ka bërë të qartë se nuk do të jetë 24/7 “zonja e parë” e SHBA-së dhe se kohën do ta ndajë mes Uashingtonit dhe Nju Jorkut ku i biri studion.