Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka folur sërish për Rregulloren e BQK-së, dhe çështjen e ndalimit të dinarit.
Ai në një konferencë për media, ka thënë se mesazhi i SHBA-ve ka qenë i qartë për këtë çështje.
“Sekretari James O’Brien foli për këtë çështje këtë javë dhe mesazhi i tij ishte shumë i qartë, mesazhi im ishte qartë. Ambasadorja jonë në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield gjithashtu ka qenë mjaft e qartë. Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime shumë domethënëse për mënyrën se si po zbatohet kjo rregullore. Ne i kemi ngritur këto shqetësime edhe në publik dhe i kemi ngritur edhe në privat”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka shtuar se “ne nuk e sfidojmë nevojën që Kosova të rregullojë sektorin e saj financiar. As nuk sfidojmë nevojën që të ndërmarrë veprime për të reduktuar rrezikun e krimeve financiare, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Ne kërkuam nga qeveria që të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje”.
Ambasadori tutje ka shtuar se kanë kërkuar dy gjëra.
“Së pari, duhet të ekzistojë një procedurë që Serbia të transferojë fondet në përputhje me rregulloren e bankës qendrore, por që plotëson standardet dhe praktikat evropiane të qeverisjes së mirë. Vendosja e kësaj procedure duhet të diskutohet në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne presim që Kosova dhe Sebria të angazhohen në mënyrë konstruktive për këtë.
Së dyti, ndërkohë që po punohet për vendosjen e këtij procesi afatgjatë, duhet të ekzistojnë dispozita të përkohshme, që e lejojnë Serbinë të vazhdojë të ofrojë fonde për shërbimet e nevojshme sociale, kjo përfshin pagesat e përfitimeve sociale si pensionet dhe pagesat për prindërit e vetëm. Deri tani nuk kemi parë asnjë përpjekje”, tha Hovenier.
Tutje, ambasadori amerikan ka thënë se ndihmës-sekretari i Shtetit, James O’Brien, shprehu keqardhje që Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kësaj kërkese të SHBA-së.
“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, ka deklaruar Hovenier.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co