Goli i parë i Lionel Mesit në Kupën e Amerikës 2024 i vlen Argjentinës kalimin në finalen e turneut. Në “MetLife Stadium” Leo ofron ndeshjen e tij më të mirë të turneut, edhe pse nuk është në kushtet e tij fizike më të mira, por edhe me aq mjafton për të marrë sërish për dore kampionët e botës dhe t’i dërgojë në finalen e të dielës amerikane (ora 2:00 e mëngjesit, duke gdhirë në të hënën shqiptare).
Kanadaja, ashtu si në fazën e grupeve ku u ndeshën për herë të parë sivjet, dominohet totalisht nga bardhekaltrit dhe në fund dorëzohet me të njëjtin rezultat, 2-0, ndonëse me pak më shumë gjakftohtësi dhe saktësi shifrat mund të kishin qenë edhe më të gjera.
Për ta, vetëm një goditje në portë, në të 88-ën me Ahmed, ndërsa Argjentina u duk që e kishte me të shpejtë për të mbyllur llogaritë dhe të ruante forcat për në finalen e madhe, ku pret fituesen e gjysmëfinales tjetër, UruguaiKolumbi. Ai që zhbllokon sfidën ishte Hualian Alvarez, kur në minutën e 23-të ofron një kryevepër të vërtetë, teksa stopon fluturimthi topin dhe godet menjëherë duke fryrë rrjetën.
Kaq mjafton që Kanadaja të dorëzohet, edhe pse për ta vënë në kasafortë biletën për në finale mendon Mesi, kur pas vetëm 6 minutash lojë nga fillimi i fraksionit të dytë devijon me taka një goditje të Enco Fernandezit, e cila mjafton për të ulur siparin e ndeshjes dhe i jep fillim festës argjentinase.
REKORDI I LEOS- Me këtë kualifikim në finalen e Kupës së Amerikës, Lionel Mesi thyen edhe një rekord historik, për ta bërë edhe më të bukur karrierën e tij monumentale. Falë arritjes së fundit, “Pleshti” bëhet lojtari i parë në historinë e futbollit që dërgon falë një goli personal kombëtaren e tij në më shumë finale, e shtata konkretisht (5 herë në finalen e Kupës së Amerikës dhe 2 herë në një Botëror).
Lionel Mesi kalon dy monstra të shenjtë brazilianë si Kafu dhe Roberto Karlos, që mbeten në kuotën gjashtë. Madje, nëse mendojmë edhe për Superfinalen e 2022 ndaj Italisë, kjo për Mesin do të jetë finalja e tetë në karrierë me përfaqësuesen.
MESI NUK NDALET- Por më i bukur sesa goli dhe ndjesia e finales së radhës ishte deklarata dhe lajmërimi që Lionel Mesi dha pas ndeshjes së djeshme me Kanadanë, e cila kaloi në ekstazë fansat e tij dhe tifozët e Argjentinës.
“Pak kohë më parë ndoshta nuk e mendoja kështu, kisha shumë dyshime, por tani jam më i bindur se kurrë se dua të vazhdoj që të mbetem pjesë e përfaqësueses sime, – bën hyrjen e tij 8 herë fituesi i “Topit të Artë”.
– Dua të vazhdoj të jetoj ditë pas dite ndjesitë e mrekullueshme që më dhuron kjo fanellë, pa menduar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. E di, jam 37 vjeç tashmë, por lamtumirën time nga Argjentina do ia lë në dorë vetëm Zotit. Mezi po pres që të luaj finalen time të radhës me Argjentinën, por në të njëjtën kohë dua që të jem pjesë edhe e Botërorit 2026 me këtë bluzë. Ndihem në formë dhe do të punoj që të mbetem i tillë deri në turneun e ardhshëm. E vetmja gjë që më vjen keq është fakti që ky turne do të luhet në fusha që jam vërtet të turpshme, të frikshme për fizikun e lojtarëve, pavarësisht se si struktura stadiumi, Amerika është shumë lart”, përfundoi autori i 109 golave në karrierë me Argjentinën.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co