Miliona klientë të kompanisë AT&T të ndikuar nga sulmi kibernetik

miliona kliente te kompanise att te ndikuar nga sulmi kibernetik
miliona kliente te kompanise att te ndikuar nga sulmi kibernetik

Vjedhja e informacioneve private të miliona klientëve aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë AT&T u zbulua së fundmi në internet, tha gjigandi i telekomunikacionit përmes një njoftimi në fundjavë.

Kompania AT&T tha se një grumbull të dhënash, të gjetura në “rrjetin e errët” përmban informacione private, duke përfshirë disa numra të sigurimeve shoqërore dhe fjalëkalimeve të rreth 7.6 milionë klientëve aktualë dhe 65.4 milionë ish-klientëve të saj.

Ende nuk dihet nëse të dhënat janë vjedhur nga “rrjetet e menaxhuara nga AT&T, apo nga një kompani tjetër që menaxhon një pjesë të të dhënave të klientëve të saj”, thuhet në njoftimin e kompanisë me bazë në Dallas. Kompania tha se ka nisur një hetim për incidentin dhe ka filluar të njoftojë klientët e ndikuar nga kjo ndërhyrje kiberentike.

Ja çfarë duhet të dini.

ÇFARË INFORMACIONI ËSHTË VJEDHUR NGA SULMI KIBERNETIK?

Ndonëse klientët dhe llogaritë janë ndikuar në mënyra të ndryshme, kompania AT&T thotë se autorët e sulmit kibernetik kanë arritur të vjedhin numrat e sigurimeve shoqërore dhe kodet verifikuese të klientëve, që ndryshe nga fjalëkalimet, janë kode katër shifrore.

Emrat e plotë, adresat e postës elektronike, adresa postare, numrat e telefonit, datat e lindjes dhe numrat e llogarisë në kompaninë AT&T gjithashtu mund të jenë komprometuar. Të dhënat e vjedhura janë që nga viti 2019 ose më herët dhe nuk duket se përfshijnë informacione financiare ose historitë e thirrjeve telefonike, tha kompania.

SI MUND TA DINI NËSE JENI PREKUR NGA KJO NDËRHYRJE KIBERNETIKE?

Klientët e ndikuar nga vjedhja kibernetike do të marrin një email ose letër direkt nga kompania AT&T në lidhje me incidentin. Njoftimet me email filluan të dërgohen që të shtunën, konfirmoi një zëdhënës i kompanisë AT&T për agjencinë e lajmeve Associated Press.

ÇFARË MASASH KA NDËRMARRË AT&T?

Përveç njoftimit të klinetëve , AT&T tha se tashmë ka ndryshuar kodet sekrete të përdoruesve aktualë. Kompania shtoi se do të paguajë për shërbimet e monitorimit të kredisë së klientëve aty ku është e mundur.

AT&T tha gjithashtu se ka “filluar një hetim të gjerë” me ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm të sigurisë kibernetike për të mësuar më shumë për pasojat e incidentit.

A KA PËRJETUAR AT&T VJEDHJE TË NGJASHME TË TË DHËNAVE?

AT&T ka pësuar disa ndërhyrje të ngjashme kibernetike në të kaluarën. Ndërsa kompania thotë se të dhënat nga sulmi i fundit kibernetik u shfaqën në një forum hakerimi gati dy javë më parë, ato ngjajnë shumë me një sulm kibernetik të vitit 2021, të cilin AT&T nuk e pranoi kurrë, thotë studiuesi i sigurisë kibernetike Troy Hunt.

“Nëse ata e vërtetojnë se ka patur një sulm kibernetik ndaj tyre në vitin 2021 dhe ata nuk i kanë njoftuar klientët e prekur nga kjo për disa vite, atëherë kompania mund të përballet me padi të shumta”, thotë eksperti Troy Hunt, themelues i një faqeje interneti me bazë në Australi, që paralajmëron njerëzit për publikime të paligjshme të informacioneve të tyre private.

Një zëdhënës i kompanisë AT&T nuk pranoi të komentonte më tej kur u pyet për këtë çështje të dielën.

SI MUND TË MBROHENI NGA KY VEPRIM?

Shmangia këtyre vjedhjeve kibernetike mund të jetë e ndërlikuar në një botë gjithnjë e më të dixhitalizuar, por konsumatorët mund të ndërmarrin disa hapa për të mbrojtur të dhënat e tyre personale.

Disa nga masat themelore që mund të ndërmerren për mbrojtjen nga sulmet kibernetike janë krijimi i fjalëkalimeve të ndërlikuara dhe vërtetimi i identitetit me më se një faktor. Nëse merrni një njoftim për vjedhjen e të dhënave tuaja, është mirë të ndryshoni fjalëkalimin dhe të monitoroni aktivitetin e llogarive financiare për transaksione të dyshimta. Gjithashtu duhet të vizitoni faqen zyrtare të një kompanie për informacione të besueshme kontakti sepse mashtruesit ndonjëherë përpiqen të përfitojnë nga lajmet për vjedhje të të dhënave, duke pretenduar se janë përfaqësuesë të kompanive përmes kopjimit të emaileve ose thirrjeve të tyre telefonike.

Komisioni Federal i Tregtisë gjithashtu u rekamondon konsumatorëve të përdorin kompanitë e vlerësimit dhe monitorimit të kreditit, si Equifax, Experian dhe TransUnion, të cilat ofrojnë ngrirje të hapjes së llogarive të reja kreditore dhe u dërgojnë informacione në kohë reale klientëve për transaksionet financiare të dyshimta, si dhe ofrojnë ndihmë në mbrojtjen nga përpjekjet për vjedhje të identitetit ose aktivitete të tjera keqdashëse./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →