Ministrat e Jashtëm të vendeve të mëdha demokratike të Grupit të Shtatë (G7) shprehën “shqetësim të thellë” të dielën për tensionet në rritje në Lindjen e Mesme.
Ministrat e Jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian në një deklaratë shprehën “shqetësimin e tyre të thellë për nivelin e rritur të tensionit në Lindjen e Mesme, i cili kërcënon të ndezë një konflikt më të gjerë në rajon”.
Ata u kërkuan të gjitha palëve të përfshira “të përmbahen nga përjetësimi i ciklit aktual shkatërrues të dhunës hakmarrëse, të ulin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive drejt de-pershkallëzimit”.
“Asnjë vend apo komb nuk do të përfitojë nga një përshkallëzim i mëtejshëm në Lindjen e Mesme”, shtuan ata.
Më herët, ministrat morën pjesë në një takim videokonferencë të kryesuar nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.
Tensionet janë përshkallëzuar midis grupit libanez Hezbollah dhe Izraelit që kur Tel Avivi vrau komandantin e lartë ushtarak të grupit, Fuad Shukr, në një sulm ajror në një periferi jugore të kryeqytetit Bejrut më 30 korrik.
Shefi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh u vra gjithashtu në kryeqytetin iranian Teheran të nesërmen në një sulm për të cilin fajësohej Izraeli, megjithëse Tel Avivi nuk e ka konfirmuar apo mohuar përgjegjësinë.
Hamasi dhe Irani janë zotuar të hakmerren për vrasjen e Haniyeh, ndërsa Hezbollahu është zotuar se do t’i përgjigjet vrasjes së Shukr.
Frika është rritur për një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut mes një shkëmbimi disa mujor të zjarrit ndërkufitar.
Përshkallëzimi vjen në sfondin e një sulmi izraelit në Gaza, i cili ka vrarë rreth 39,600 njerëz që nga tetori i kaluar pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co