Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare në BE takim në Bruksel, diskutime për mbështetjen ushtarake për Kievin

ministrat e mbrojtjes te vendeve anetare ne be takim ne bruksel diskutime per mbeshtetjen ushtarake per kievin





































Në Bruksel po zhvillohet takimi i parë i ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas pushimit veror. Në qendër të këtij takimi është sulmi rus kundër Ukrainës.

Tankee

Ministrat evropianë u bënë thirrje aleatëve që të përmbushin të gjitha premtimet për furnizim me armë të Ukrainës dhe diskutuan mbi aftësitë e Kievit për mbrojten ajrore.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson komentoi lajmin për rrëzimin e një nga disa avionët luftarakë F-16 që Ukraina i mori nga partnerët e saj perëndimorë.

“Këto janë gjëra që ndodhin në luftë. Nuk shoh asgjë dramatike. Ukrainasit duhet të tregojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht”, tha ai.

Avioni luftarak u rrëzua të hënën, ndërsa Rusia ndërmorri një sulm në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë në mbarë vendin, tha në një deklaratë ushtria ukrainase.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur përgëzoi Kievin për avancimet e fundit në territorin rus, një operacion që e quajti të guximshëm.

Por, zoti Pevkur u bëri thirrje aleatëve që të përmbushin të gjitha premtimet për furnzimin me armë të Ukrainës dhe ta lejojnë Kievin të shfrytëzojë armët perëndimore brenda territorit rus.

“Po lufton vetëm me një dorë. Dorën tjetër e ka të lidhur pas kurrizit, sepse nuk mund të përdorë të gjitha armët që ka. Shpresoj që të gjithë do ta kuptojnë rëndësinë që ukrainasit të kenë mundësi të luftojnë me të gjitha sistemet e armëve, municionet dhe raketat”, tha zoti Pevkur.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se heqja e kufizimeve për përdorimi i armëve brenda Rusisë, është një çështje që u takon vendeve që furnizojnë Kievin me armë, por mbrojti përdorimin e armëve kundër objektivave ruse dhe hodhi poshtë pretendimet se kjo do të nënkuptonte përfshirjen e BE-së në një luftë kundër Rusisë.

“Askush nuk do të futet në luftë me Rusinë. Ne thjesht po mbështesim Ukrainën. Por, vendoseni veten në pozitën e ukrainasve. Nëse bombardoheni nga rusët nga një pikë që është jashtë rrezes së kapacitetit tuaj, do të donit të luftonit në kushte të barabarta”, tha zoti Borrell.

Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans tha se vendi i tij, siç kishte premtuar, është pranë dërgimit të sistemit të mbrojtjes ‘Patriot’ në Ukrainë.

“Nuk dua ta them datën e saktë të furnizimit. Jo se nuk dua të jem transparent, por nuk dua të informojmë Rusinë, sepse ata vëzhgojnë kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Por, ashtu siç kemi premtuar, dërgesa do të niset së shpejti”, tha ai.

Të enjten Rusia kreu një sulm intensiv ajror kundër Ukrainës, i treti në katër ditë, duke goditur me raketa dhe dronë që kryesisht u rrëzuan, thanë forcat ajrore të Ukrainës.

Forcat ruse sulmuan me pesë raketa dhe 74 dronë ‘Shahed’ ndaj objektivave ukrainase, tha Kievi në një deklaratë, ndërsa shtoi se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi dy raketa dhe 60 dronë.

Sulmet e ashpra ruse me rreze të gjatë veprimi kanë goditur zonat e banuara me civilë që kur Moska nisi sulmin ndaj fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia – të gjitha vende anëtare të NATO-s – janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me mbi 60 avionë. Kapaciteti i forcave ajrore ruse është 10 herë më i madh.

Ukrainës i duhen të paktën 130 avionë luftarakë F-16 për të neutralizuar fuqinë ajrore të Rusisë, thonë zyrtarët e Kievit.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →