Ministrat e rinj, në pritje të dekretit të Presidentit. Parlamenti, sot në seancë të posaçme

ministrat e rinj ne pritje te dekretit te presidentit parlamenti sot ne seance te posacme





































VALENTINA MADANI/ Pas ndryshimeve në qeveri, Kryeministri Edi Rama mblodhi dje deputetët e grupit parlamentar bashkë me kabinetin qeveritar dhe tre ministrat e rinj të propozuar prej tij, Pirro Vëngu, Ervin Hoxha dhe Petrit Malaj.

parlament

Në mbledhjen që zgjati për afro 40 minuta, Niko Peleshi mori zyrtarisht drejtimin e grupit, pas largimit nga kjo detyrë e Bledi Çuçit, që merr postin e nënkryetarit të Kuvendit. Më shumë se 30 deputetë socialistë firmosën për propozimin e Kryeministrit Rama për emërimin e Elisa Spiropalit në postin e kryetares së Parlamentit, pas largimit të Lindita Nikollës nga kjo detyrë, që e mbajti për 3 vjet.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura mësohet se Rama ka vlerësuar punën e Taulant Ballës dhe Niko Peleshit, të cilët respektivisht drejtonin Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes. Në mbledhje nuk ishte Ervin Mete, i cili u hoq nga drejtimi i Ministrisë së Financave. Deputetët u shfaqën të buzëqeshur teksa mblidhnin firma për të shprehur mbështetjen për Elisa Spiropalin, e cila u propozua nga kryeministri Edi Rama për të marrë drejtimin e Parlamentit.

Votimi për ndryshimet në drejtimin e Kuvendit dhe qeveri ishte parashikuar për dje, por burime brenda mbledhjes bëjnë me dije se Edi Rama pati kritika ndaj disa deputetëve, për të cilët ka thënë se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre dhe u ka kërkuar angazhim në terren e në jetën parlamentare. Gjithashtu, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u vendos që seanca e posaçme parlamentare të shtyhet për ditën e sotme, në pritje të dekretimit të tre ministrave të rinj nga Presidenti Begaj. Burime nga Presidenca bëjnë me dije se ndryshimet në qeveri janë në proces verifikimi. Menjëherë pas dekretimit nga kreu i shtetit, ato do të kalojnë në Kuvend, ku për t’u miratuar kërkojnë një shumicë të thjeshtë votash. Pas votimit në Parlament, ministrat e rinj do të duhet të betohen përpara Presidentit të Republikës.

Që prej ditës së diel, Rama ia vendosi kreut të shtetit propozimet në tavolinë, ndërsa do të duhet një dekret i tij, që ndryshimet në qeveri të kalojnë në Kuvend, ku kërkojnë 71 vota për të marrë detyrën. Ndërkohë, seanca e posaçme e Kuvendit që ishte parashikuar dje në 18:00, u shty për sot. Tre anëtarë të rinj do t’i shtohen qeverisë “Rama”, ndërsa më surprizë nga të gjitha ishte largimi i Taulant Ballës nga ministër i Brendshëm pas një vit pas emërimit në një prej dikastereve më të rëndësishëm.

Megjithatë, Balla nuk do të largohet nga kabineti, edhe pse këtë herë do të jetë ministër pa portofol, teksa do të zëvendësojë Elisa Spiropalin si ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin. Ministri i ri i Brendshëm do të jetë Ervin Hoxha, i cili deri më tani mban detyrën e kryeinspektorit të IMT-së. Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vijë Pirro Vengu, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës. Ministri i ri i Financave do të jetë Petrit Malaj, i cili zë vendin e Ervin Metes. Elisa Spiorpali është propozuar kryetare e Kuvendit, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës. Nënkryetar Bledi Çuçi, i cili ishte kreu i grupit të PS-së. Këtë post pritet ta marrë Niko Peleshi, i cili u shkarkua si ministër i Mbrojtjes.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →