Ministri i Financave Ervin Mete, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA). Ministri e vuri theksin në fjalën e tij në bashkëpunimin me biznesin me qëllim për të çuar përpara perspektivën e ekonomisë shqiptare dhe përmirësuar më tej klimën e biznesit.
Ministri Mete tha se viti 2023 shënoi një moment të rëndësishëm për ekonominë e vendit. “Ne kemi patur një vit të mirë në 2023-shin. Po kalojmë një moment të mirë ekonomik, ndërkohë që ishim një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Kemi patur lajme të mira në fund të vitit: Kemi ulur borxhin në masë të konsiderueshme e jemi përmirësuar në vlerësimin e Standard & Poor’s, si edhe kemi dalë edhe nga lista gri. Të dyja këto kanë ndihmuar klimën e biznesit,” u shpreh ai.
Edhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm tha më tej z. Mete janë pozitive. “Projeksionet që ne kemi janë pozitive për periudhën afatmesme duke u bazuar në sektorë si turizmi p.sh., të cilët kanë pasur një vit të mrekullueshëm vjet dhe ajo që pritet është që të ketë përmirësim edhe në 2024. Sigurisht që do bëjmë më shumë kur bie fjala për produktivitetin, apo për një klimë më të mirë biznesi. Kapitali njerëzor është po ashtu një nga ato fusha në të cilat ne duhet të përqendrohemi. Do përqendrohemi edhe te infrastruktura, por edhe në aspekte të produktivitetit, të cilat ndihmojnë klimën e biznesit,” nënvizoi ministri i Financave.
[embedded content]
Në fund ai shtoi se paralelisht me Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe Këshillin e Investimeve, do të rivitalizohet Këshilli Tatimor, si platforma diskutimi Qeveri-biznes. “Besoj që ne kemi disa platforma shumë të mira ku ne shkëmbejmë ide, mendime, kemi Këshillin e Investimeve ku kemi pasur disa takime do thoja shumë frytdhënëse, kemi edhe Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe shumë shpejt Ministria e Financave do rigjallërojë dhe Këshillin Tatimor, ku do të diskutojmë për politikat fiskale dhe administratën tatimore si një nga fushat ku mund të bashkëpunojmë më shumë,” u shpreh Ministri.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co