Ministri Mete: Në qershor prezantojmë disa masa lehtësuese për tatimin e pagave

ministri mete ne qershor prezantojme disa masa lehtesuese per tatimin e pagave
ministri mete ne qershor prezantojme disa masa lehtesuese per tatimin e pagave

Në muajin qershor pritet të prezantohen disa masa lehtësuese sa i përket tatimit mbi pagën për të punësuarit në sektorin publik dhe privat. Lajmin e ka bërë të ditur sot Ministri i Financave Ervin Mete në forumin e CEO-ve të Dhomës Amerikane të Biznesit.

Ministri Mete u shpreh se rritja për herë të parë e vlerësimit nga “Standard&Poor’s” për Shqipërinë, nga B+ në BB- është një vlerësim i përpjekjeve për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e financave publike. Ministri Mete tha se ky vlerësim do të forcojë më tej pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë e vendit.

“Ekonomia e vendit po kalon një moment të mirë dhe këtë e konfirmoi edhe Standard&Poor’s. Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitit të kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro,“ theksoi ndër të tjera ministri Mete.

Ministri i Financave tha po ashtu se edhe detyrimet e prapambetura zbritën në nivelin më të ulët dhe se në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

“Jemi aktualisht në hapat e fundit të konstituimit të Këshillit Tatimor dhe gjej rastin të ftoj edhe njëherë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Biznesit të aplikojnë për t’u bërë pjesë aktive e këtij Këshilli. Jemi gjithashtu në një komunikim vazhdues me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të finalizuar një strategji të rishikuar për mbledhjen e të ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë, me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal dhe gjithashtu në frymën e ruajtjes së një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal,” u shpreh më tej ministri.

Ai e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar faktin se ky moment i mirë që po kalon ekonomia e vendit, treguesit e përmirësuar makroekonomikë, si dhe vlerësimet e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë për të thelluar ritmin e reformave.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →