Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se “viti 2023 ishte një pikë kthese për të kthyer vështrimin drejt kapitalit tonë njerëzor, ku ndërmorëm një reformë thelbësore në sistemin e pagave në administratën publike”.
Në fjalën e saj në aktivitetin e organizuar për energjizimin e administratës publike me qëllim rritjen e profesionalizimit e performancës duke fuqizuar mirëqeverisjen, rendin ligjor dhe antikorrupsionin, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, ministrja Pirdeni tha se “në këtë proces pati ka një rritje prej 19-41 % të nivelit të pagave për specialistë, si dhe një rritje deri në masën prej 46 % për nivelet drejtuese në administratë”.
“Ligji vendosi jo vetëm standardet bazë jo vetëm për të mundësuar që paga të shikohet mbi bazën e normës së inflacionit, por gjithashtu kemi vendosur sisteme të qenësishme, të cilat mundësojnë dhënien e një shpërblimi për procese pune që sjellin novacione, edhe çmime kur këto procese sjellin inovacion në sektorë kyç”, nënvizoi Pirdeni.
Më tej , ministrja Pirdeni u shpreh se “përgjatë një dekade kaluam nga modeli fituesi merr gjithçka, përfshirë edhe administratën, tek një model aparati administrativ që zhvillohet, që vetëpërmirësohet dhe transformohet drejt mirëqeverisjes”.
“Krijuam një kuadër të tërë ligjor funksional dhe solid të shërbimit civil, i cili vendosi dalëngadalë themelet e stabilizimit të shtetit në Shqipëri. Me forcën e digjitalizimit injektuam elementë të rinj, filluam të aplikojmë sisteme në pozicione pune vetëm me një klik jo vetëm në administratën publike, por edhe në forma të tjera të aplikimit si për mësuesit edhe për infermierët, si dhe ripamë sistemin e rekrutimit për institucionet dhe strukturat e sigurisë”, nënvizoi Pirdeni.
Ministrja Pirdeni u shpreh se “konkurset nuk i kanë shpëtuar paragjykimeve megjithatë tashmë kemi një një sistem solid dhe besueshmëria dëshmohet tek numri i shtuar i aplikantëve për vendet vakante”.
Duke folur për “Programin e ekselencës”, Pirdeni tha se “mbi 500 kolegë të rinj, sot studentë ekselentë me mesatare mbi 9 janë pjesë e stafeve tona, janë ata që i japin administratës ritmin e një strukture që ripërtërihet vazhdimisht”.
Ministrja Pirdeni tha se “Shqipëria është renditur e para në rajon për zbatimin e standardeve të legjislacionit të shërbimit civil. Sot sfida jonë i kalon kufijtë e rajonit, sot sfida jonë e vërtetë është administrata duhet të pulsojë me ritmin e kohës dhe të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co