Misioni i OSBE në Kosovë: Projektligji për KPM-në, të mos ketë kufizime dhe ndikim të padrejtë në media

misioni i osbe ne kosove projektligji per kpm ne te mos kete kufizime dhe ndikim te padrejte ne media
misioni i osbe ne kosove projektligji per kpm ne te mos kete kufizime dhe ndikim te padrejte ne media

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka thënë të martën se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili synon rregullimin e mediave online, duhet ta shmangë çfarëdo kufizimi të papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe çfarëdo ndikimi të padrejtë në përmbajtjen mediatike.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OSBE tha se e “mirëpret” synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për KPM-në në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian, për të siguruar “një kuadër më të zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik”.

Por, ajo e theksoi rëndësinë e nxitjes së një “mjedisi të favorshëm për vetërregullimin e mediave në internet, të bazuar në parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”.

Sipas OSBE-së, Projektligji do të synojë “artikulimin efektiv të standardeve dhe parimeve sipas së cilave do të nxirren aktet e nevojshme nënligjore. Gjithashtu, është me rëndësi të sigurohet ekuilibër midis rregullimit dhe vetërregullimit në këtë sektor”.

“Bashkërregullimi ndërmjet autoriteteve rregullative dhe akterëve mediatike do të mund ta ndihmonte dhe informonte procesin vendimmarrës dhe të sigurojë që qasja e përzgjedhur pasqyron nevojat dhe aspiratat e shoqërisë së Kosovës”, tha ajo.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

“Çdo legjislacion i ri duhet të sigurojë se nuk dobëson rolin e rëndësishëm të Këshillit të Mediave të Shkruara në vetërregullimin efektiv, duke përfshirë edhe për sa i përket përmbajtjes mediatike në internet”, tha OSBE-ja.

Në herët gjatë ditës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në këtë legjislacion duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Këshilli i Mediave të Shkruara, ka thënë se në shumicën e rasteve videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →