Mister fati i pasuesit të Nasrallah si lider i Hezbollahut/ Frika se Izraeli do sulmojë Iranin në 7 tetor, SHBA: Nuk kemi asnjë garanci

mister fati i pasuesit te nasrallah si lider i hezbollahut frika se izraeli do sulmoje iranin ne 7 tetor shba nuk kemi asnje garanci
mister fati i pasuesit te nasrallah si lider i hezbollahut frika se izraeli do sulmoje iranin ne 7 tetor shba nuk kemi asnje garanci

Izraeli po përgatit një përgjigje “serioze dhe domethënëse” ndaj sulmeve raketore të Iranit, ndërsa dyshimet janë se sulmi mund të ndodhë rreth përvjetorit të sulmeve terroriste të 7 tetorit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se breshëria e Iranit javën e kaluar me 200 raketa balistike, disa prej të cilave goditën bazat ajrore, do të “kishte pasoja”.

Zyrtarët ushtarakë nuk dhanë ndonjë afat kohor për hakmarrjen, por i thanë mediave izraelite se ata ishin në mes të përgatitjeve.

Komentet i bënë jehonë zotimit të Benjamin Netanyahut se Teherani kishte bërë një “gabim të madh” dhe “do të paguajë për të” .

Ndërsa Izraeli peshon opsionet e tij, lëvizjet e tij të ardhshme po shikohen me vëmendje në kryeqytetet botërore, me shumë frikë se Lindja e Mesme po rrëshqet në një luftë në përshkallëzim.

Joe Biden, presidenti amerikan, ka sinjalizuar se është kundër që Izraeli të godasë ose prodhimin e naftës të Iranit ose programin e tij bërthamor.

Donald Trump, i cili kandidon për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe për të zëvendësuar zotin Biden, tha se besonte se presidenti e kishte gabim dhe i kërkoi Tel Avivit të godiste programin bërthamor të Iranit.

Izraeli nuk i ka dhënë asnjë garanci Shtëpisë së Bardhë se një sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit është jashtë tryezës, sipas diplomatëve të lartë amerikanë.

Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha gjithashtu CNN se ishte “me të vërtetë e vështirë të thuhej” nëse Izraeli synonte të përdorte përvjetorin e sulmeve të Hamasit të 7 tetorit, të cilat morën jetën e 1200 njerëzve në Izrael, për të kundërpërgjigjur.

Zyrtari tha se Shtëpia e Bardhë shpresonte të “shihte pak mençuri dhe forcë” në hakmarrjen e Izraelit, por nuk kishte “asnjë garanci”.

Të paktën dy duzina raketash iraniane arritën të depërtojnë mbrojtjen ajrore të Izraelit dhe të godasin pranë të paktën tre vendeve ushtarake dhe të inteligjencës, raportoi The Washington Post.

Bashar al-Assad, presidenti i Sirisë, tha se sulmi i Iranit kishte qenë një “mësim” për Izraelin.

Izraeli të shtunën vazhdoi bombardimet e tij ndaj Libanit, duke goditur periferitë jugore të Bejrutit me një duzinë sulmesh ajrore dhe duke goditur për herë të parë një kamp refugjatësh palestinezë thellë në veri, pasi shënjestroi si luftëtarët e Hezbollahut ashtu edhe të Hamasit.

Sulmi i Izraelit në kampin Beddawi pranë Tripolit vrau një zyrtar të krahut ushtarak të Hamasit së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla, tha grupi militant palestinez.

Hamasi më vonë tha se një tjetër anëtar i krahut ushtarak u vra në një sulm izraelit në Luginën lindore Bekaa të Libanit.

Ndërsa sulmi vazhdoi, kishte gjithashtu prova në rritje se Izraeli mund të kishte vrarë njeriun e supozuar të pasonte liderin e vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Tre burime libaneze të sigurisë i thanë Reuters se Hashen Safieddine kishte qenë i paarritshëm që kur u raportua se ishte shënjestruar në një sulm izraelit të premten.

Ronen Solomon, një analist izraelit i inteligjencës dhe mbrojtjes, i cili ka punuar për më shumë se një dekadë në ministrinë e mbrojtjes, tha se goditja ndaj Safieddine, i cili po shërbente si pjesë e këshillit ekzekutiv të grupit që mbikëqyr operacionet ushtarake dhe strukturën civile, hap rrugën për më shumë në vazhdim.

“Safieddine njihet si numri dy në piramidë. Por tani zëvendësi i tij, Sheikh Ali Damoush, komandanti i njësisë për marrëdhënie me jashtë, nuk është vrarë ende, kështu që ndoshta ai do të jetë i radhës në listën e zezë”, tha ai për The Telegraph.

Vëllai i Safieddine, Abdullah, mbikëqyr marrëdhëniet e Forcave Quds dhe Gardës Revolucionare Islamike dhe është thellësisht i rrënjosur në elitën politike dhe ushtarake të Iranit, me qendër në Teheran.

“Abdullah, vëllai i Safieddine, është gjithashtu një objektiv i mundshëm”, shtoi Solomon. Ai është i njohur si kreu i njësisë së biznesit të Hezbollahut, i lidhur me njësinë e marrëdhënieve të jashtme dhe është njeriu i lidhjes midis Iranit dhe Hezbollahut.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co