Vijon ende kërkimi në rrënojat e jahtit “Bayesian” në Sicili për gjetjen 18-vjeçares Hannah Lynch, e cila nuk është lokalizuar ende nga ekipet e kërkim shpëtimit, por pyetja që mbetet ende pa një përgjigje, është se çfarë do të ndodh me anije e fundosur në fund të detit.
Autoritetet italiane thonë se tërheqja e saj në sipërfaqe nuk është ende një çështje në diskutim, megjithëse nuk e përjashtojnë atë në të ardhmen.
Varka me vela ndodhet në një thellësi prej 50 metrash, jo e ndaluar për t’u tërhequr, por mjaft e madhe për të vështirësuar operacionet e zhytësve. Jahti ka rënë në një anë, në fund dhe duket se ka pësuar dëmtime minimale.
Siç raporton Daily Mail, ekspertët thonë se vetëm rikuperimi i varkës do të mund të japë përgjigje përfundimtare për ngjarjet që çuan në fundosjen e saj brenda disa minutave dhe vdekjen e shtatë personave.
Në çdo rast, do të jetë një operacion kompleks përdorimi i një vinçi për të tërhequr “Bayesian”, përveçse i kushtueshëm. Anija, në teori, fillimisht duhet të sillet në një pozicion të drejtë dhe më pas të ngrihet në mënyra që nuk do të shkaktojnë më shumë dëme.
Në fund është direku i madh i varkës, me një lartësi që i kalon 70 metra. Dhe ky thuhet se është në gjendje të mirë edhe pse i prishur.
Gjendja e anijes dhe rrënojat, mund të jenë një mënyrë për të kuptar nëse direku mund të jetë një arsye që çoi në fundosjen e jahtit luksoz.
Sipas kësaj qasjeje, turbina e ujit theu direkun, gjë që e la anijen të ekspozuar ndaj erërave të forta, e më pas, pasi u godit nga tornadoja, varka me vela ra anash dhe u fundos shumë shpejt.
Për shkak të thellësisë, 27 zhytësit që u thirrën për të tërhequr trupat e pasagjerëve të bllokuar brenda varkës të mbytur, mundën të qëndronin vetëm 10-12 minuta, ndërsa u duhej kohë e mjaftueshme për t’u kthyer në mënyrë të sigurt në sipërfaqe.
Çfarë solli tragjedinë
Mister i pazgjidhur mbeten shkaqet e sakta të rrënimit të jahtit luksoz në Palermo. Përshtypje la qëndrimi i prodhuesit të jahtit, i cili foli për një listë të gjatë gabimesh.
Giovanni Constantino, themeluesi dhe CEO i kompanisë së listuar që zotëron asetet e Perini Navi Viareggio, e cila ndërtoi Bayesian, e përshkroi jahtin në vitin 2008 si një nga anijet më të sigurta në botë, praktikisht e pathyeshme.
Duke folur për Corriere della Sera mbi shkaqet për tragjedinë detare në Palermo, ai nënvizoi si më poshtë:
“Gjithçka që është bërë zbulon një listë shumë të gjatë gabimesh. Njerëzit nuk duhej të ishin në kabina, varka nuk duhej të ishte në spirancë. Dhe pse ekuipazhi nuk e dinte për gjendjen e motit? Pasagjerët raportuan se stuhia mbërriti në mënyrë të papritur, nga hiçi. Kjo nuk është e vërtetë. Gjithçka ishte e parashikueshme. Unë kam hartat e motit pikërisht këtu para meje. Asgjë nuk erdhi papritur. Kushtet e pafavorshme të motit ishin plotësisht të njohura në të gjitha hartat meteorologjike. Ishte e pamundur që askush të mos i njihte”, shtoi Constantino.
Siç deklaroi ndërtuesi i varkës fatkeqe, “Një anije Perini i rezistoi uraganit Katrina të kategorisë 5, a mendoni se nuk mund t’i rezistojë kjo një stuhie të tillë? Është praktikë e mirë, që kur anija është në spirancë të kesh një roje në urë dhe nëse ai do të kishte qenë atje, nuk mund të mos e shihte stuhinë që po vinte. Në vend të kësaj, varka mori ujë me të ftuarit ende në kabinat e tyre. Mjaftoi vetëm një kënd prej 40 gradësh dhe ata në kabinë e gjetën veten me derën e hapur”.
Duke folur për Daily Mail, një figurë e shquar në industrinë e lundrimit tha se një jaht si Bayesian duhet të ishte kthyer në një pozicion të drejtë menjëherë pasi tornado e goditi.
“Kjo është ajo që duhet të bëjë një jaht i projektuar mirë me thellësinë e duhur të keel-it”, tha ai në veçanti.
Të mërkurën, në një takim të anëtarëve të ekipit të shpëtimit të përfshirë në kërkimin e pasagjerëve të zhdukur, zhytësit raportuan se “keel”, e jahtit nuk ishte ulur plotësisht.
Sipas transmetuesit shtetëror italian RAI, “keel”, që i jep jahtit stabilitet dhe ekuilibër gjatë lundrimit, u ul në një thellësi prej 4 metrash, në vend të thellësisë së plotë prej 7.5 metrash.
Kjo do të thotë se varka me vela kishte një “keel” që mund të ngrihej për t’iu afruar ujit të cekët. Megjithatë, sa më i lartë të ngrihej “keel”, aq më i madh rreziku për stabilitetin e jahtit.
Është raportuar gjithashtu se zona e kuvertës së poshtme, ku ndodhet tenderi, nuk ishte mbyllur plotësisht kur anija u përmbys.
Sipas rrëfimeve, disa ishin kthyer në jaht nga një shëtitje në breg vonë atë natë. Megjithatë, nuk dihet ende nëse ishte një mision i ekuipazhit për të transportuar pasagjerë apo për darkë në breg.
“Ata e kishin vënë pjesërisht tenderin,” i tha RAI një nga ekspertët, “por nuk e kishin siguruar siç duhet zonën”.
“Bayesian ndoshta u fundos për shkak të gabimit njerëzor, duke qenë në një pozicion të papërshtatshëm për ardhjen e mundshme të motit të keq,” tha inxhinieri nga Italian Sea Group, kompania që zotëron Perini Navi që zbuloi jahtin në vitin 2008.
Duke folur në mënyrë anonime për Televizioni shtetëror italian, inxhinieri vuri në dukje defekte të mundshme, që nga vrimat e hapura deri tek mosfunksionimi i motorëve.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co