Zyrtarët mongolë “kanë detyrimin” të arrestojnë Vladimir Putin nëse ai viziton vendin javën e ardhshme, ka thënë Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC). Udhëtimi, që pritet të ndodhë të martën, do të jetë hera e parë që lideri rus viziton një vend anëtar të ICC që kur gjykata urdhëroi arrestimin e tij në mars 2023.
Gjykata pretendon se Putin është përgjegjës për krimet e luftës, duke thënë se ai nuk arriti të ndalonte dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i konfliktit. Pavarësisht se zyrtarët në Ukrainë kërkojnë që Mongolia ta arrestojë Putinin sapo të mbërrijë në vend, Kremlini tha se nuk kishte “asnjë shqetësim” për vizitën.
“Ne kemi një raport të shkëlqyer me partnerët tanë nga Mongolia,” u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Sigurisht, të gjitha aspektet e vizitës së Presidentit janë përgatitur me kujdes”. Dr Fadi el-Abdallah, një zëdhënës i ICC, i tha BBC-së të premten se gjykata mbështetet në shtetet e saj palë – përfshirë Mongolinë – për të “ekzekutuar vendimet e saj”.
Ai tha se Mongolia, si nënshkruesit e tjerë të ICC, ka “detyrimin për të bashkëpunuar”. Kjo përfshin respektimin e urdhrave të arrestit si ai që gjykata lëshoi për arrestimin e Putinit në vitin 2023. Gjykata pretendoi se presidenti rus është përgjegjës për krimet e luftës, duke u fokusuar në dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Gjykata ka lëshuar gjithashtu një urdhër për arrestimin e komisioneres ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për të njëjtat krime.
Gjykata gjithashtu tha se krimet u kryen në Ukrainë nga 24 shkurt 2022 – kur Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë. Moska i ka mohuar më parë akuzat dhe i ka cilësuar urdhër-arrestet si “të egra”. Dr Abdallah tha se gjyqtarët e ICC-së do të shqyrtojnë rastet e “mosbashkëpunimit” nga nënshkruesit e tij dhe do të informojnë Asamblenë e Shteteve Palë, e cila mund “të marrë çdo masë që e gjykon të përshtatshme”.
ICC nuk ka kompetenca për të arrestuar të dyshuarit dhe mund të ushtrojë juridiksion vetëm brenda vendeve anëtare. Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se shpresonte se Mongolia ishte “e vetëdijshme për faktin se Vladimir Putin është një kriminel lufte” dhe u bëri thirrje autoriteteve të vendit të arrestojnë liderin rus dhe t’ia dorëzojnë atë prokurorëve në Hagë, selia e ICC-së në Holandë.
Vitin e kaluar, Putin anuloi një vizitë në një samit në Afrikën e Jugut pas urdhër-arrestit të ICC-së. Si një nënshkruese e gjykatës, Afrika e Jugut duhet të ndalojë të dyshuarit në territorin e saj, por Presidenti Ramaphosa paralajmëroi se Rusia do ta shihte këtë si një deklaratë lufte. Ramaphosa tha se vendimi që lideri rus të mos merrte pjesë ishte “i ndërsjellë”. BBC ka kontaktuar Ambasadën Mongole për një koment./BBC/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co