“Mund të arrinte majat e pushtetit, meqë sulltani nuk i…”/ Publikohet për herë të parë dosja sekrete e perandorisë britanike për Ismail Qemalin

mund te arrinte majat e pushtetit meqe sulltani nuk i publikohet per here te pare dosja sekrete e perandorise britanike per ismail qemalin

Në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së Ismail Qemalit dhe në prag të 124-vjetorit të arratisjes së tij të bujshme nga Kostandinopoja, po sjellim për herë të parë për publikun dosjen e klasifikuar të arkivit të Perandorisë Britanike për këtë ngjarje. Pas shpalljes së pavarësisë së Indisë ky fashikull ruhet në Arkivën Kombëtare të Indisë, në fondin arkivor që i përket ministrisë së Jashtme të Perandorisë Britanike. Për ndihmesën në zbulimin e këtij fashikulli me shumë vlera, falënderojmë posaçërisht stërnipin e Ismail Qemalit, z. Darling Vlora. Dosja mban titullin: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”.

Ngjarjet e përshkruara në këtë fashikull diplomatik zhvillohen para 124 vitesh, konkretisht në fundin e prillit dhe fillimin e majit të vitit 1900. Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente dhe shënime të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury, tre herë kryministër i Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 1885-1902). Pjesë e dosjes janë edhe dy memorandume, që mbajnë datat 25 janar 1898 dhe 1 maj 1900, të diplomatit britanik Adam Block, i cili shërbente në ambasadën britanike në Kostandinopojë.

Në memorandumin e detajuar të hartuar nga dragomani i parë z. Adam Block, më 1 maj 1900, ndër të tjera zbërdhehet edhe komploti i përgatitur nga sulltani për vrasjen e Ismail Qemalit, me të mbërritur në Tripoli. Memorandumi nënvizon faktin që Ismail Qemalit iu mohua kërkesa për të marr me vete djalin dhe bashkëpatriotët e tij shqiptarë. Aty përshkruhen me saktësi të gjitha zhvillimet që i paraprin vendimit të Ismail Qemalit për t’u arratisur, pas vendimit të sulltanit për t’a syrgjynosur. Ndër të tjera, diplomati britanik i vë në dukje Ismail Qemalit pasojat e këtij vendimi dhe rrezikun që ai do të mbetej pa asnjë pozitë dhe pa asnjë mjet jetese. Por Ismail Qemali ishte i vendosur në qëndrimin e tij për t’u larguar nga Kostandinopoja…

Ndërkohë ambasadori Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar kryeministrit britanik, thekson faktin që “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.

Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.

Deri më tani ne kemi pasur në dorë dëshmi të disa protagonistëve të kësaj ngjarje, duke filluar me kujtimet e vetë Ismail Qemalit ose ato të ish-ambasadorit britanik Sir Maurice de Bunsen apo artikuj të shumtë të shtypit ndërkombëtar të kohës, që e kanë pasqyruar këtë ngjarje të rëndësishme për skenën politike otomane, evropiane dhe botërore të kohës. Ndërkohë tashmë për herë të parë, ne kemi në duar dokumentet zyrtare të ministrisë së Jashtme britanike, që e përshkruajnë ngjarjen në mënyrë më të plotë. Përveç shumë detajeve të panjohura më parë, këto dokumente konfirmojnë sërish vërtetësinë e pasqyrimit që i ka bërë kësaj ngjarje qofë vetë Ismail Qemali, qoftë Sir Maurice de Bunsen, por qoftë edhe shtypi ndërkombëtar.

Ambasada britanike në Kostandinopojë luajti një rol kyç në suksesin e arratisjes së Ismail Qemalit. Pavarësisht se siç theksohet qartazi në këto dokumente diplomatike iniciativën dhe përgjegjësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi e pati plotësisht Ismail Qemali, i cili shmangu me mjeshtëri policinë dhe spiunët e ngarkuar me mbikëqyrjen e tij, duke kërkuar mbrojtje në bordin e luftanijes së Madhërisë së Saj. Një nga ligjet e pashkruara të pushtetit është mbajtja e nismës dhe Ismail Qemali diti që t’a zbatonte me sukses këtë aksiomë.

Më 1 maj 1900, në moshën 56-vjeçare dhe pas një karriere 40 vjeçare, e cila preku majat më të larta të shërbimit publik, Ismail Qemali, së bashku me tre djemtë, u arratis nga Perandoria Osmane. Arratisja e tij e shqetësoi shumë Portën e Lartë jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ai kishte si udhëheqës i kauzës kombëtare shqiptare, por edhe për shkak të staturës së tij si modeli më i mirë i shërbyesit publik në perandori. Këtu e ka zanafillën një faqe tjetër e jetës dhe e veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare, e cila do ta shndërronte atë në simbolin e ndritur të patriotizmit shqiptar. Kjo fazë është e mbushur me shumë dallgë të mëdha dhe sakrifica personale për hir të së mirës së kombit. Në fund ajo do të rezultonte vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar dhe për trashëgiminë e lidershipit të Ismail Qemalit.

Pas mbërritjes në Pire, Ismail Qemali këmbeu vizita me kryetarin e Këshillit të Ministrave, z. Georgios Theotokis, kurse ditën e tretë u prit në audiencë me përzemërsi dhe dashamirësi të madhe nga Mbreti Gjergji I. Disa ditë pas mbërritjes së tij në Greqi, sulltani vijoi përpjekjet për t’i mbushur mendjen Ismail Qemalit, që të kthehej duke i ofruar postin e ambasadorit dhe ministrit.

Pas gjithë këtyre lutjeve, ai krijoi bindjen se sulltani e donte me gjithë mend që ta kishte në shërbimin e tij shtetëror. Por nuk ishte as dyshimi, as mosbesimi që e bënte Ismail Qemalin të mos tundej nga vendimi i tij. Përvoja vetjake e viteve të fundit, si dhe ato çka i kishte thënë vetë sulltani me gojën e tij, i kishin krijuar atij bindjen se njeriu mund të siguronte gjithçka prej këtij sovrani për karrierë personale e përfitime të tjera, por absolutisht asgjë për të mirën e vendit. Ismail Qemali ishte i vetëdijshëm që mund të arrinte majat e pushtetit në Perandori, mirëpo, meqë sulltani nuk i pranonte bashkë konceptin e besnikërisë dhe ndershmërisë, sa më shumë që ai të ngrihej në karrierë, aq më pak fuqi do të kishte për të përmbushur detyrën e tij dhe për të punuar për të mirën e përgjithshme.

Duke filluar që nga vitet ‘890, me mbështetjen e ambasadorit britanik të kohës në Kostandinopojë Sir Philip Currie, Ismail Qemali, botonte gazetën politike me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar). Gazeta promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese. Por, pas këmbënguljes së madhe të sulltanit kjo gazetë u mbyll. Në vitin 1895 dhe 1897, Ismail Qemali i shkroi sulltanit dy memorandume për reformat në perandori. Memorandumi i vitit 1897, ishte në formën e një letre të hapur. Ai do të shënonte thirrjen e tij të fundit ndaj sulltanit për të ndërmarr reforma dhe për të rikthyer regjimin konstitucional.

Ndër të tjera Ismail Qemali i shkruan sulltanit një këshillë universale udhëheqje: “Paardhësit e mëdhenj të madhërisë suaj gjithmonë vinin në poste drejtuese burrat më të zotë të kohës, që ishin pajisur me kulturë të gjerë e me aftësi të mëdha natyrore. Për të zbuluar një të vërtetë të çfarëdoshme, për të përcaktuar vlerat dhe aftësitë e secilit dhe madje për të zhdukur tendencat individualiste që lindnin nga pozita e lartë drejtuese, ata përdornin metodën e ballafaqimit të mendimeve e të opinioneve të njerëzve. Çdo veprim e çdo masë me karakter shtetëror që ndërmerrnin e përputhnin me kërkesat e kohës…Sot si tregues i meritave të njerëzve është injoranca, o poshtërsia. Prandaj zotësitë mendore dhe aftësitë natyrore as që merren parasysh.”. Por duket se kjo është një sëmundje e përbashkët e mendjeve të vogla e tinzare, të cilat preferojnë afër vetes më tepër se gjithçka tjetër mediokritetin…

Reagimi i sulltanit ndaj Ismail Qemalit ishte i pritshëm. Siç dokumentohet edhe nga memorandumi i diplomatit Adam Block, pjesë e kësaj dosje, që mban datën 25 janar 1898, pas një hetimi të zhvilluar nga Policia Otomane, sulltan Abyl Hamidi II, i dha urdhër kryetarit të Gjykatës Ushtarake të Jashtëzakonshme për t’a gjykuar dhe dënuar Ismail Qemalin. Por sulltani u përmbajt më pas nga ky vendim, vetëm për shkak se Ismail Qemali gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe. Më 25 janar 1898, dy vjet para arratisjes së tij, në ambasadën britanike në Kostandinopojë u hartua një proces-verbal, nën udhëzimin e ambasadorit të kohës Lordit Currie. Sipas tij britanikët zotoheshin që t’i jepnin mbrojtje Ismail Qemalit nëse atij do t’i kërcënohej jeta.

Megjithatë, në vitin 1900, sulltani vendosi përfundimisht dëbimin e Ismail Qemalit, duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit, në Afrikë. Ky vendim i sulltan Abdyl Hamitit II, po komentohej në Kostandinopojë, si edhe nga shtypi evropian si një syrgjynosje e tij. Ismail Qemali pasi u emëru guvernator (vali) i Tripolit, e pranoi parimisht pozicionin ndërkohë që filloi përgatitjen për arratisjen e tij. Një shprehje e vjetër thotë se: “Në diktaturë njerëzit votojnë me këmbë”.

Me largimin e tij nga Perandoria Otomane, Ismail Qemali dëshironte t’i jepte një mesazh të qartë sulltanit, i cili po e keqqevriste vendin me politikat e tij të jashtme dhe të brendshme. Pas arratisjes së Ismail Qemalit dhe si pasojë e veprimtarisë politike të tij, në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale në Kostandinopojë e dënoi atë me vdekje në mungesë, si edhe me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për: “Orvatje për të nxitur popullin kundër qeverisë dhe sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”.

Ismail Qemalit do t’i duhej të priste edhe 8 vite derisa sulltani të vetëndërgjegjësohej që pushtetit të tij absolut po i vinte fundi. Ai ndodhej në Paris, kur në orën një të natës, më 22 korrik 1908, i ngarkuari me punë i Turqisë, e zgjoi për t’i lexuar një telegram të ardhur nga sulltani, ku ai kërkonte këshillën e tij se ç’ishte më e mira që mund të bënte në atë çast kritik. Momenti kritik kishte ardhur si pasojë e masakrave që kishin ndodhur dhe e vendimit të Europës për organizimin e Maqedonisë, çka shqiptarëve u dukej se vinte në rrezik unitetin e tyre kombëtar. Mijëra shqiptarë të armatosur ishin mbledhur në Kuvendin e Ferizajt më 15 korrik 1908. Ata i dërguan sulltanit telegramin e famshëm, i cili e shkundi sulltanin. Në telegram thuhej se nëse nuk shpallet Kushtetuta e vitit 1876, 50 mijë shqiptarë do të marshonin drejt Kostandinopojës.

Ndërkohë, Ismail Qemali i dorëzoi të dërguarit të sulltanit përgjigjen e tij, ku e këshillonte të mos vonohej asnjë çast por të shpallte zbatimin e Kushtetutës të vitit 1876, si të vetmen masë të dobishme dhe si e vetmja garanci për popujt e Perandorisë. Sulltani e shpalli Kushtetutën. Ismail Qemali i dërgoi sulltanit po nëpërmjet të njëjtave kanale komunikimi një raport ku i parashtronte planin e tij. Njëkohësisht ai e paralajmëronte për mendësinë dhe moralshmërinë e xhonturqve dhe vijën e tyre politike…

Për liderin është domosdoshme aftësia për të menduar në mënyrë analitike dhe kreative. Dhe në përgjithësi liderët që lënë gjurmë kanë një shpirt rebel, sepse konformizmi ia merr frymën lirisë. Në dinastinë shqiptare Vlora dhe në Labëri, kjo mendësi ishte trashëguar ndër breza. Ata ndër shekuj kishin treguar se nuk ju mungonte kuraja dhe forca që të përballeshin me pushtetin absolut sulltanor, kur gjërat nuk ishin duke ecur në rrugë të mbarë.

Asfs
Asfs
Fee
Fee

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →