Shqiperia

“Mundësi e artë për bashkëpunime kinematografike”/ Regjisori me famë botërore, William Oliver Stone viziton Shqipërisë

mundesi e arte per bashkepunime kinematografike regjisori me fame boterore william oliver stone viziton shqiperise

William Oliver Stone, një nga regjisorët më të mëdhenj të kinematografisë botërore, fitues i çmimeve Oscar, vjen për herë të parë në Shqipëri. Shoqëruar nga miq dhe bashkëpunëtorë, Stone ka qendruar pak ditë në vendin tonë, ku ka vizituar peizazhet dhe plazhet e Shqipërisë së jugut. Prania e Stone përbën një mundësi të madhe promovuese për Shqipërinë, si në nivel turistik dhe kulturor, ashtu edhe në drejtim të tërheqjes së koproduksioneve të mëdha kinematografike.

Regjisori i famshëm Amerikan, gjatë itinerarit të tij në Shqipëri u ndal edhe në Tiranë, ku vizitoi Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”. Gjatë kësaj ndalese, Stone u prit në takim nga Zëvendës Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa dhe Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Eol Çashku. Pritja e një regjisori si Stone, që ka bërë historinë e kinematografisë hollivudiane dhe ndërkombëtare ishte një mundësi shumë e rëndësishme edhe për shkëmbim idesh.

William Oliver Stone2
William Oliver Stone2

William Oliver Stone, i lindur më 15 shtator 1946, në New York, është një legjendë, por përpara se ti përkushtohej kinematografisë, ai kaloi një periudhë në Vietnam si mësues i gjuhës angleze e si vullnetar në këmbësorinë e ushtrisë amerikane në luftën e Vietnamit. Pas plagosjes dhe arrestimit, ai kthehet në Amerikë për të vijuar karrierën që e bëri një njeri të shquar në mbarë botën. Megjithatë, ai duhej të punonte mbi 10 vite dhe me skenarin e filmit “Platoon” që të fitonte besimin e producentëve dhe të arrinte suksesin.

William Oliver Stone1
William Oliver Stone1

Zbulimi i Stone erdhi në vitin 1978 kur ai fitoi një çmim Oscar për skenarin më të mirë të adaptuar për “Midnight Express”, dramë e një amerikani të burgosur në Turqi, i ngecur në një qerthull vuajtjesh fizike e mendore. Ky vlerësim i hapi dyert për projektet e ardhshme, si “Platoon” (1986), një rrëfim gjysmë-autobiografik i Luftës së Vietnamit, që fitoi katër çmime Oscar. Ky sukses u pasua nga “Wall Street” (1987), një film mbi lakminë dhe korrupsionin e sektorit financiar, për të cilin Michael Douglas fitoi një Oscar për aktorin më të mirë. Më pas ishte filmi biografik “Born on the Fourth of July” (1989), i cili i dha atij një tjetër çmim Oscar për regjisorin më të mirë. “JFK” (1991) vjen në formën e një hetimi kompleks dhe konspirativ mbi vrasjen e Presidentit John F. Kennedy.

Prodhimet kinematografike të Stone vijojnë me “The Doors” (1991), “Natural Born Killers” (1994), “Nixon” (1995), “Any Given Sunday” (1999), “World Trade Center” (2006), dhe “W.” (2008), një dramë biografike për Presidentin George W. Bush, “South of the Border” (2009) si dhe “The Untold History of the United States” (2012), me të cilin pasqyron interesin e tij të vazhdueshëm për temat politike dhe historike. Stone bie në sy për karakterin e tij të drejtpërdrejtë dhe mprehtësinë që e dallon si në skenar, ashtu dhe në gjuhën kinematografike. Po ashtu ai ka qenë edhe një zë kritik ndaj çështjeve ndërkombëtare, zë i cili është i dukshëm në punën e tij, produksionin e dokumentarëve dhe deklaratat e tij publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts