Çfarë duan punëtorët e kualifikuar kur vijnë në Gjermani nga jashtë? Dhe cilat janë përvojat e tyre në këtë vend? Një anketim interesant me 30. 000 njerëz jep ca përgjigje, jo të këndshme për disa autoritete gjermane.
Gjermania ka nevojë për punëtorë të huaj. Popullsia po plaket, brezi i bumit të lindjeve në Gjermani po del ndërkohë në pension dhe tashmë ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar kudo. Prandaj, është qëllimi i deklaruar i qeverisë federale që ta bëjë vendin sa më interesant për punëtorët e kualifikuarnga jashtë. Portali i Internetit “Make it in Germany” ekziston prej dhjetë vitesh dhe synon t’u ofrojë të interesuarve ndihmë në gjuhë të ndryshme gjatë rrugës së tyre për në Gjermani.
30.000 punëtorë të kualifikuar të anketuar
Organizata e vendeve të industrializuara OECD anketoi dhjetëra mijëra punëtorë të kualifikuar nga vendet jo anëtare të BE-së për një periudhë të gjatë kohore përmes këtij portali. Qëllimi ishte të mësojmë më shumë për motivimin, shpresat dhe frikën e njerëzve që mendojnë të punojnë në Gjermani.
“Ky është një studim unik global, në të cilin ne i shoqërojmë njerëzit që nga momenti kur ata bëhen të interesuar për një vend gjatë një periudhe kohore”, thotë Thomas Liebig nga OECD. Pothuajse 30.000 njerëz u anketuan në një raund të parë në verë/vjeshtë të vitit 2022. Nga këta, rreth gjashtë muaj më vonë, rreth 10.000 njerëz iu përgjigjën pyetjeve të tjera nga studiuesit e OECD. Më në fund, në vjeshtë/dimër 2023 u bë një anketë përfundimtare me rreth 6.000 njerëz.
Vendet më të rëndësishme të origjinës së të anketuarve janë Turqia (13 për qind), India (dhjetë për qind) dhe Kolumbia (nëntë për qind). Deri me nga katër për qind janë anketuar edhe punëtorë nga Egjipti, Algjeria, Argjentina, Meksika, Filipinet dhe Rusia.
Shumica meshkuj me kualifikime të larta
Kush mori pjesë në sondazh? “Janë kryesisht meshkuj, 75 për qind”, thotë udhëheqësi i studimit Liebig. “Ata janë kryesisht shumë të kualifikuar: 75 për qind kanë një diplomë universitare, një e treta e tyre kanë një master ose doktoraturë. Shumica kanë familje, do të thotë kanë partnerë dhe/ose fëmijë. Një përqindje e lartë, 60 për qind, kanë të paktën njohuri bazë të gjermanishtes, e një në tre prej tyre kanë madje edhe njohuri të avancuara të gjuhës.”
“Gjermania mbetet një destinacion tërheqës për shumë njerëz me kualifikim të lartë jashtë vendit,” thotë studimi. Megjithatë, shumë ankohen për pritjet e gjata për viza. Në Turqi, një në tre të anketuar (30 për qind) i vlerësuan përvojat e tyre me sistemin gjerman të imigracionit si “mjaft të këqija” ose “shumë të këqija”. Në Algjeri ishte një në pesë (21 për qind).
Rekomandimet personale janë veçanërisht të rëndësishme
Miqtë, familja apo kolegët ishin nxitësit kryesorë të interesit të këtyre personave për Gjermaninë. Shumica e njerëzve përmendën shpresën për punë të mira dhe mundësinë e karrierës, si arsyen kryesore për të konsideruar lëvizjen në Gjermani. Siguria, shëndetësia e mirë, demokracia dhe sundimi i ligjit, një sistem i mirë arsimor dhe mundësi për partnerët dhe të afërmit u përmendën shpesh.
Vetëm disa në Gjermani tani
Në më shumë se dymbëdhjetë muajt që kaluan midis raundeve të ndryshme të sondazhit, vetëm një pjesë e vogël (pesë për qind) arriti vërtet të vinte në Gjermani. Ata ishin kryesisht njerëz që kishin rrjete të mira dhe njohuri të gjermanishtes. Në Gjermani, pothuajse të gjithë (93 për qind) punojnë me orar të plotë pune. Rreth gjysma punon në inxhinieri dhe teknologji informacioni (IT), dhe një në dhjetë punon në fushën e shëndetit dhe kujdesit shëndetësor.
Pothuajse gjysma fitojnë më shumë se 4.000 euro bruto në muaj, 13 për qind fitojnë më shumë se 6.000 euro, ndërsa dhjetë për qind fitojnë më pak se 2.000 euro bruto në muaj. Shumica (59 për qind) janë përgjithësisht “mjaft të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me jetën e tyre në Gjermani. Cilësia e jetës, kultura dhe mentaliteti gjerman, si dhe kultura mikpritëse në Gjermani janë theksuar veçanërisht pozitivisht nga të anketuarit. Por shumë të anketuar janë “të pakënaqur” ose “mjaft të pakënaqur” me kontaktet e tyre me autoritetet e imigracionit (40 për qind) si dhe me të ardhurat dhe gjendjen e tyre financiare (40 për qind).
Racizmi dhe diskriminimi
Shumë nga të anketuarit janë shprehur shumë të shqetësuar për mundësinë që të jenë viktimë e diskriminimit dhe racizmit në Gjermani. Ndërsa ata që erdhën në Gjermani dhe punojnë këtu, nuk mund të thonë se nuk ka racizëm dhe diskriminimi. Përkundrazi: realiteti është më i keq se frika.
“Nga ata që kanë ardhur në Gjermani, më shumë se gjysma thonë se ishin të diskriminuar dhe se kanë pasur probleme në tregun e banesave. Një numër shumë i madh, pothuajse 40 për qind, raportojnë gjithashtu përvoja të diskriminimit dhe racizmit në dyqane, restorante dhe në rrugë”, thotë Thomas Liebig. “Këto janë shifra tronditëse të larta.” Sipas të anketuarve, vetëm përvojat e tyre me policinë dhe në shkollat, të cilat i frekuentojnë fëmijët e tyre ishin më të mira se sa kishin frikë.
Racizmi si një disavantazh i vendndodhjes
Autorët e studimit të OECD rekomandojnë që Republika Federale e Gjermanisë të ketë një staf më të përgatitur në zyrat e vizave jashtë vendit dhe autoritetet e imigracionit në Gjermani. Gjithashtu, duhet të zgjerohet mbështetja për mësimin e gjuhës gjermane jashtë vendit. Diçka duhet bërë urgjentisht kundër diskriminimit dhe racizmit, rekomandojnë ata.
Sipas raportit të fundit të OECD-së për migracionin, gjysma e mirë e të huajve që vendosen përgjithmonë në Gjermani vijnë nga vende të tjera të BE-së. Grupi i dytë më i madh (21 për qind) janë refugjatët, të ndjekur nga anëtarët e familjes që u bashkohen të afërmve të tyre që tashmë jetojnë në Gjermani (15 për qind). Ndërsa njerëzit që vijnë në Gjermani nga vende jashtë BE-së për të punuar përbëjnë grupin më të vogël të emigrantëve me 14 për qind./DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co