Biznese në sektorë të ndryshëm të ekonomisë po i drejtojnë sërish sytë te vendet e huaja për gjetjen e forcës punëtore. Emigracioni dhe plakja e popullsisë ndër vite, vijon të shtojë hendekun e gjetjes së punonjësve.
Fillimisht u tentua me punonjës kryesisht nga Bangladeshi, skemë e cila dështoi pasi ata e shihnin Shqipërinë më shumë si trampolinë për të kaluar në Europë. Tashmë India po shihet si një burim për gjetjen e punonjësve.
Në situatë të vështirë për punonjës janë edhe fermat e mëdha dhe të mesme. Përveç ofrimit të pagave deri 1,000 euro në muaj për stallier nga drejtuesit e fermave po kërkohen punonjës nga India.
Klajdi Myzaferi, drejtuesi i një ferme me 150 krerë lopë në Vlorë, prej muajit nëntor 2023 ka të punësuar 2 indianë që i paguan 500 USD në muaj përfshirë akomodimin dhe ushqimin e paguar, dhe dhëniesh bonusi për punë ekstra.
“Jam i kënaqur me rendimentin e punës, sidomos me qëndrueshmërinë, gjë të cilën nuk po e hasim me punonjësit vendas. Gjithashtu kanë nisur të përshtaten edhe me proceset e automatizuara të fermës”.
Ai pritet që së shpejti të shtojë stafin me të punësuar nga India prej 2 apo 3 punëtorë.
“Nuk ka vazhdimësi në fuqinë vendase. Nuk ka të rinj që duan të punojnë në blegtori, largohen në emigracion. Gjen forcë punëtore mbi moshën 55 vjeç, por ata nuk arrijnë të përballojnë punë të vështira në blegtori ”, tha ai.
Myzaferi shton se pagat për punonjës vendas në pozicionin e stallierit variojnë nga 700 deri 1,500 euro në muaj. Ndërsa gjatë periudhës së verës pagesat për punonjësit e transportit arrijnë deri në 2,000 euro në muaj.
Dy punonjës të huaj me shtetësi indiane, pritet të punësohen edhe në një tjetër ferme me 60 krerë lopë në zonën e fierit. Sipas kontratës të nënshkruar nga drejtuesi i fermës me kompaninë e rekrutimit paga për punëtoret e huaj do të jetë 600 euro në muaj.
Por eksperti i bujqësisë dhe blegtorisë Ervin Resuli nuk e sheh zgjedhje punësimin e shtetasve të huaj jo vetëm nga rendimenti dhe qëndrueshmëria, por për shkak të krizës se sektorit të blegtorisë. Përfshirë edhe mosgjetjen e punonjësve, kjo sipas tij shumë shpejt do t’i sjellë blegtorisë rënie të lartë të numrit të fermave të mëdha dhe të vogla dhe numrin e krerëve të bagëtive.
Ai thotë se në këtë situatë është shumë e domosdoshme që nga institucionet shtetërore të shtohen subvencionet për sektorin e blegtorisë me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë krahasuar me rajonin.
Sipas tij diferenca në dhëniesh subvencionesh është e lartë krahasuar me rajonin. P.sh. në Kosovë subvencioni për dhitë është 30 euro për krerë, ndërsa në Shqipëri 1,200 lekë apo 12 euro për krerë për tufën nga 100 deri në 300 dhi.
Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se gjatë vitit 2023, numri i bagëtive shënoi ulje në mbi 11 për qind në secilën kategori, gjedhë, dhi dhe dele. Në vitin 2023 në të gjithë vendin kishte 263 mijë gjedhë me rënie vjetore 11.5%
Ndërsa numri i të imtave shënoi rënie me 11.7%. Me rënie 16% ishte edhe numri i derrave. Teksa me rritje ishin vetëm shpendët dhe kosheret me nga 2,6 dhe 8.2% secila./Monitor
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co