Fatmira Nikolli
Muzeu Etnografik i Krujës, monument kulture i kategorisë së parë (I), është rihapur për publikun pas përfundimit të punimeve restauruese të realizuara pas dëmtimeve të tërmetit të 2019-ës.
Me një buxhet total prej 850 mijë eurosh, restaurimi që zgjati afërsisht dy vjet, u financua nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit EU4Culture dhe u zbatua nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Një fokus të veçantë gjatë punimeve iu dha trajtimit me kujdes të artefakteve gjatë gjithë procesit të konservimit në përputhje me standardet bashkëkohore muzeale konservimin e ndërtesës, konservimit të sipërfaqeve të pikturuara në mure dhe mobilieve historike dhe përmirësimit infrastrukturor.
Një pjesë shumë e rëndësishme e punës ishte rikonceptimi plotë i linjës muzeale, e cila është bërë më e kuptueshme dhe aksesueshme duke përdorur mënyra bashkëkohore për ekspozimin dhe interpretimin e artefakteve.
Multimedia është një risi në Muze pasi në ekspozita ka edhe një dhomë virtuale veshjesh, udhërrëfyes audio ose tableta që shfaqin riprodhimin vizual të zanateve ose projeksione video mbi punimin e qeramikës historike.
Pjesë e ceremonisë së inaugurimit të përfundimit të punimeve restauruese ishte Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Z. Silvio Gonzato, përfaqësuesja e UNOPS, Znj. Freya von Groote dhe mjaft personalitete të tjera në vend.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Blendi Gonxhja, u shpreh se trashëgimia jonë kulturore është më shumë se thjesht një objekt krenarie. Ai tha se Qendra Muzeore Krujë, ku përfshihet Muzeu i Gjergj Kastriotit dhe Muzeu Etnografik, është vizituar në 75 mijë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit.
“Nga kalatat dhe bedenat e Kështjellës së Krujës, vetëm dy herë janë parë 150 mijë të huaj brenda të njëjtit vit. Për herë të parë, në vitin 1466, përgjatë Rrethimit të Dytë të Krujës. Hera e dytë është 2024-ta, kur mbi 150 mijë turistë të huaj pritet të vizitojnë këtë qytet. Mes tyre ka edhe turq, por këtë herë, ushtria që po mësyn Krujën është më e larmishme se kurrë. Është një koalicion paneuropian, brenda të cilit ka edhe amerikanë, australianë, shtetas nga vendet arabe, nga Azia e largët, etj. Fakt është se për shumë kohë, Shqipëria nuk ka ditur të shfrytëzojë potencialet e paimagjinueshme që ka. Më pas, për disa kohë, ditëm të shfrytëzojmë disi, për 1-2 muaj në vit plazhet, e hera herës edhe më shkurt në kohë malet. Ndërsa sot, për fat të mirë, falë vizionit të ndjekur nga qeveria kur bëj pjesë, kemi hyrë në një epokë ku turizmi nuk zhvillohet më sporadikisht, vetëm në verë, e në disa pika të territorit, por kudo, në të gjithë vendin dhe përgjatë të gjithë vitit. Në këtë kontekst, trashëgimia jonë kulturore është më shumë se thjesht një objekt krenarie. Ajo është shndërruar në një motor të mirëfilltë zhvillimi. Të dhënat e deritanishme tregojnë se segmenti i turizmit kulturor ka shënuar rritje edhe më të fortë sesa sektori i turizmit në tërësi në vend. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i vizitorëve në institucionet kulturore është rritur me 70%. Ndërsa Qendrën Muzeore Krujë, ku përfshihet Muzeu i Gjergj Kastriotit dhe Muzeu Etnografik që po inaugurojmë, numri i vizitorëve është rritur në 75 mijë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit. Një rritje e tillë e jashtëzakonshme e ka pikënisjen në vizionin që nisi të bëhej realitetet për Krujën 10 vjet më parë, kur nisi rehabilitimi i plotë i Pazarit. Falë atij investimi, Pazari është shndërruar sot në qendrën më të rëndësishme të artizanatit në Shqipëri, me punimet e tezgjahut, kostumet popullore, punimet e filigranës dhe ato të bakrit. Për parantezë, këto punime, falë një tjetër projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, prej vitit 2023 kanë akses shitje online. Më pas, transformimi vazhdoi me rinovimin e të gjithë kompleksit muzeal, e tashmë edhe me rinovimin e plotë të Muzeut Etnografik, që me vlerat dhe objektet e tij 5-shekullore i ofron Krujës dhe çdo vizitori një pasuri jashtëzakonisht të vyer. Kam bindjen që rikonceptimi i plotë i kësaj hapësire, i linjës muzeale si dhe elementi i shtuar i ndërveprimit interaktiv do të rrisin fuqinë magjepsëse të këtij Muzeu, duke ofruar një përvojë unike dhe të paharrueshme për këdo. Kjo e bën këtë Muze të jetësuar në shtëpinë 300-vjeçare të familjes Toptani, një epilog të denjë të shëtitjes që nis nga Pazari, vijon me kështjellën, me Muzeun e Gjergj Kastriotit, e kalon për nga Muzeu Etnografik, përpara pushimit në bujtinat, në restorantet tradicionale, në Sari Salltik, Qafështamë apo tjetërkund. Mbështetja për rijetësimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe shndërrimin e saj në një motor të ekonomisë dhe turizmit në Krujë e më gjerë do të vazhdojë edhe përmes mbështetjes direkte për individin. Gjashtë familje në Krujë u mbështetën nëpërmjet nismës së Qeverisë Shqiptare për Bonusin e Rijetëzimit, pjesë e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, për restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve në qendrat historike të qyteteve, me një fond prej 25 milionë Lekësh. Ky program do të zgjerohet. Ne shohim që Kruja ka numrin më të vogël të të larguarve. Nga bonusi banesat brenda kalasë pësuan ndryshime në fasadat e tyre duke ju përshtatur arkitekturës së banesave krutane, duke i sjellë ato në funksione për bujtina, hoteleri apo aktivitete të tjera ekonomike, duke u vendosur në shërbim të komunitetit dhe vizitorëve. Personalisht, ndihem mirë që jam pjesë e një qeverie që vetëm përgjatë pak viteve të fundit ka nxitur ngritjen e më shumë se 10 muzeumeve të rinj, me edhe më shumë se kaq në plan për t’u ndërtuar në të ardhmen. Ndihem gjithashtu mirë që falë kësaj qeverie, mbrojtja e trashëgimisë kulturore është shndërruar në një prioritet absolut, për të cilin të gjithë, duke nisur nga qeveria, tek institucionet, tek pushteti vendor, organizatat kulturore, e deri tek qytetari, kanë një rol për ta mbrojtur dhe promovuar. Për të gjitha këto, ecja përpara në këtë rrugë nuk është më çështje zgjedhje, por është pikë së pari një detyrim, ndaj të parëve tanë dhe ndaj fëmijëve tanë. Është një pasuri e jashtëzakonshme, që na është mirë besuar dhe që kemi në dorë ta zhvillojmë më tej. Trashëgimia jonë e jashtëzakonshme nuk është më në dorë të fatit, por në dorën e të gjithëve ne dhe në funksion të zhvillimit të çdo qyteti e çdo familje shqiptare”, u shpreh Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Kurse Ambasadori i BE-së, Z. Silvio Gonzato, tha se po aq i rëndësishëm sa restaurimi i siteve kulturore, është edhe përçimi i kësaj trashëgimie tek të rinjtë.
“Sot është vërtetë një ditë shumë e rëndësishme. Një gur i rëndësishëm kilometrik në programin e BE për kulturën që ne e lançuam pas tërmetit të vitit 2019. Ky program është një nga programet më të mëdha dhe ambicioze të trashëgimisë kulturore që mund të ketë financuar Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor duke treguar solidaritetin e BE në shembullin më të mirë dhe për të dëshmuar kështu për marrëdhëniet kaq të mira që kemi ne, Shqipëria dhe BE. Ne kemi rinovuar 14 site të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që punimet vazhdojnë në 9 site të tjera. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rinovimin e ndërtesave, por për të festuar të gjithë së bashku atë larmi dhe trashëgimi të shkuar kaq të fortë sociale, kulturore, historike të Shqipërisë. Ndaj rihapja e Muzeut Etnografit të Krujës është shumë i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë si një shembull i rëndësishëm i kësaj pasuri historike. Dëshiroj të falënderoj UNOPS dhe Ministrinë si partnerë shumë të rëndësishëm për rinovimin e kësaj ndërtese që unë sot zbulova sa e bukur, sa e mrekullueshme qenka vërtetë. Faleminderit për punën që keni bërë për ruajtjen, rinovimin, konservimin dhe shpalosjen e të gjithë këtyre objekteve dhe që do të jetë një provojë unike për vizitorët. Ne do të kishim dështuar nëse ky muze nuk do të kishte atë marrëdhënie të ngushtë që ka me banorët e këtij qyteti. Muzeumi nuk duhet thjesht të shfaqë atë që kanë bërë ndër shekuj artizanët shqiptarë, por edhe të ruaj aftësitë, teknikat që janë përdorur për të sjellë në jetë objektet kaq të bukura që unë preka sot. Duhet të jetë një vend që kjo trashëgimi kulturore e Shqipërisë të përçohet, mos të humbasë. Këtu shikojmë lidhjen me projektet e tjera që ne kemi financuar. Edhe këtu në zonën e Krujës, synimi të cilave është mbështetja për artizanët dhe që aktivitetet e tyre të kenë peshë ekonomike. Si mund ti bindim ne të rinjtë të investojnë në këto teknika të reja në rast se ne nuk i ndihmojmë dot që këto teknika të reja të ju japin të ardhmen, ekonominë. Ne nuk po bëjmë thjesht shfaqjen e objekteve. Ne po ju ofrojmë shqiptarëve dhe të huajve që të shikojnë dhe kuptojnë çfarë ka qenë Shqipëria, çfarë është dhe çfarë përfaqëson. Një mik i imi i mirë shqiptar, artist, më tha që muzika sigurisht kontribuon. Të forcon ndjesinë e identitetit. Edhe vizita në këtë muze të tillë na ndihmon të kuptojmë çfarë është identiteti shqiptar. Nëse e kupton kush je, atëherë nuk ke frikë nga larmia, diversiteti në shoqëri. Je i hapur për tradita, kombësi, mendësi të tjera”, tha Ambasadori i BE-së, Z. Silvio Gonzato.
Ndërsa drejtoresha e Zyrës së UNOPS në Austri, Freya von Groote, tregoi se Muzeu Etnografik i Krujës është një prej 23 siteve të trashëgimisë kulturore që po i nënshtrohet restaurimit falë programit EU4Culture.
“Ky muze është një prej 23 siteve të trashëgimisë kulturore që po i nënshtrohet restaurimit nga UNOPS dhe partnerët e vet në kuadër të programit të BE për Kulturën. Jemi të lumtur për bujarinë e Bashkimit Evropian. Së bashku kemi arritur me të vërtetë diçka madhështore këtu. Muzeu Etnografik i Krujës është shndërruar në një hapësirë të gjallë që ju fton të përjetoni historinë e Shqipërisë në mënyrë mbresëlënëse. Jemi me të vërtetë të bindur që ky muze nuk do të pasurojë vetëm jetën e shqiptarëve por edhe do të rrisë ekonominë vendore, të krijoje mundësi të ardhurash. Restaurimi nuk do të ishte i mundur pa ekspertët vendorë, stafin e muzeut. Përfshi konservuesit, arkitektët, inxhinierët, kuratorët, etnografët, artizanët dhe specialistët e multimedias që punuan për të sjellë në jetë këtë muze. Në emër të UNOPS ju falënderojmë”, tha Drejtoresha e Zyrës së UNOPS në Austri, Freya von Groote.
Muzeu Etnografik i ndodhur brenda Kalasë së Krujës, dikur ka shërbyer si rezidencë e familjes së shquar osmane, Toptani. Është ndërtuar në vitin 1764 dhe është një vend i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore për të kuptuar kulturën e pasur të Shqipërisë, zakonet dhe traditat. Muzeu u ofron vizitorëve një mundësi unike për të parë jetën e përditshme të brezave të kaluar, rutinat e tyre, festimet familjare dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Për më tepër, muzeu paraqet njohuri për prodhimin tradicional të vajit të ullirit, rakisë dhe produkteve të tjera vendase. Tipologjia e artefakteve të ekspozuara përfshin: artikuj veshjesh, mjete dhe artikuj për përdorim të përditshëm në shtëpi të shekullit të 18-të.
Rreth programit të EU4Culture dhe UNOPS:
Programi EU4Culture financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë. Ai fokusohet në rinovimin dhe rivitalizimin e vendeve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë euro.
Paralelisht, programi synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike lokale dhe rajonale.
Ndërsa misioni i UNOPS-it është të ndihmojë njerëzit të ndërtojnë jetë më të mirë dhe vendet të arrijnë paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co