Në gusht 2014, gazetari investigativ dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Emin Huseynov kishte frikë për lirinë dhe jetën e tij. “Atëherë filloi represioni dhe shumica e kolegëve të mi u arrestuan,” thotë 44-vjeçari, i cili tani është një kritik i shquar i Ilham Aliyev, kreut autokratik të Azerbajxhanit, bashkëthemelues i Institutit për Lirinë dhe Sigurinë e Gazetarëve në vendin e tij. Ai tani jeton në Zvicër për arsye sigurie.
Në vitin 2014, Huseynov kërkoi mbrojtje në ambasadën zvicerane në Baku. Sot jeton në mërgim. Huseynov nuk mund të kthehet në atdheun e tij. Dhjetra kritikë të tjerë të qeverisë dhe aktivistë të mjedisit janë aktualisht në burg në Azerbajxhan, sipas organizatës joqeveritare Human Rights Watch.
Ky është vendi ku komuniteti ndërkombëtar është mbledhur për konferencën e klimës, COP29, nga 11 nëntori për të folur për krizën klimatike dhe të drejtat e njeriut dhe për të negociuar financimin e drejtë të mbrojtjes globale të klimës.
Si mikpritës dhe negociator, Azerbajxhani dëshiron të punojë drejt qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për Klimën: pajtueshmërinë me objektivin 1.5 gradë, më shumë mbrojtje klimatike, transparencë, mbështetje financiare për vendet në zhvillim dhe drejtësi për klimën.
Naftë dhe gaz – “Një dhuratë nga Zoti”?
Tradicionalisht shteti organizues luan një rol ndërmjetësues midis 196 vendeve pjesëmarrëse në konferencën për klimën. Por kreu i shtetit të Azerbajxhanit, Aliyev, e ka bërë tashmë të qartë se ku mund të qëndrojnë prioritetet e tij në tryezën e bisedimeve të konferencës për klimën.
“Fakti që ne kemi rezerva nafte dhe gazi nuk është faji ynë. Është një dhuratë nga Zoti,” tha Aliyev në Dialogun e Klimës në Petersberg në Berlin në prill, përpara ministres së Jashtme, Annalena Baerbock, dhe kancelarit federal Olaf Scholz.
Ai do të mbrojë të drejtën e vendeve për të investuar dhe promovuar lëndët djegëse fosile, për të çuar përpara prosperitetin e vendit të tij dhe për të luftuar varfërinë, vazhdoi Aliyev. Energjia elektrike e mikpritësit të COP-it përbëhet nga 93 për qind lëndë djegëse fosile. Në analizën e Climate Action Tracker, një aleancë e organizatave të ndryshme joqeveritare, Azerbajxhanit i jepet vlerësimi më i keq për mbrojtjen e klimës – në të njëjtin nivel me vendet prodhuese të naftës, Arabinë Saudite, Rusinë dhe Iranin. “Ka investime të mëdha në lëndët djegëse fosile dhe masat për mbrojtjen e klimës janë minimale,” thotë Niklas Höhne nga organizata joqeveritare New Climate Institute në Këln. Vendi nuk ka ende një objektiv të emetimeve zero.
Problemet me mbrojtjen e klimës
“Alijevit nuk i intereson klima”, thotë Huseynov. Ai është i shqetësuar kryesisht për legjitimimin e presidencës së tij. Aliyev mori postin e kreut të shtetit të Azerbajxhanit nga babai i tij në 2003. Këtë vit ai u konfirmua si president në zgjedhjet e parakohshme që vëzhguesit e OCDE i kritikuan si të parregullta dhe jodemokratike. “Njerëzit janë ende të varfër, edhe pse ne fitojmë miliarda nga eksporti i naftës dhe gazit,” tha Huseynov.
Sipas Climate Action Tracker, potenciali i energjisë diellore dhe të erës dhe prodhimi i hidrogjenit të gjelbër për eksport është i madh. Megjithatë, përkundër disa investimeve, ai përdoret shumë pak. Në një analizë, organizata supozon se emetimet e vendit do të rriten me 20 për qind në vitet e ardhshme.
Vendet pritëse zgjidhen sipas një sistemi të rotacionit rajonal të Konventës kornizë të OKB-së për ndryshimet klimatike (UNFCCC). Pesë grupet rajonale – Amerika Latine, Karaibet, Afrika, Azia, Paqësori, Evropa Lindore dhe Evropa Perëndimore dhe vende të tjera – zgjedhin vendin pritës. “Negociatat për klimën do të kenë sukses vetëm nëse keni një presidencë të fortë dhe shumë të besueshme,” tha Höhne. Megjithatë, Azerbajxhani deri më tani është paraqitur më mirë se sa është në të vërtetë, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e klimës, tha Höhne.
Gazi dhe nafta
Presidenti i konferencës së klimës së këtij viti – dhe për këtë arsye kreu i negociatave – do të jetë Mukhtar Babayev, ministri i mjedisit i Azerbajxhanit dhe ish-oficer i në kompaninë shtetërore të naftës SOCAR.
Fakti që figura të fuqishme në industrinë e naftës dhe gazit kryesojnë konferencat për klimën nuk është i ri. Konferenca e vitit 2023 në Dubai u kryesua nga Sulltan Ahmad al-Jaber, një ekzekutiv i lartë në kompaninë shtetërore të naftës dhe gazit të Emirateve të Bashkuara Arabe ADNOC. Grupi francez i energjisë TotalEnergies dhe ADNOC kohët e fundit investuan shumë në zgjerimin e prodhimit të gazit në Azerbajxhan përmes blerjeve të aksioneve. Nafta dhe gazi përbëjnë 90 për qind të eksporteve të Azerbajxhanit. Blerësi kryesor është BE-ja.
Marrëdhëniet e biznesit me Evropën janë intensifikuar që nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Kjo nuk ndryshoi as pas pushtimit të rajonit të Nagorno-Karabakh nga ushtria e Azerbajxhanit dhe dëbimi i mbi 100,000 armenëve vitin e kaluar, gjë që kritikoi edhe BE-ja. Azerbajxhani mbetet një furnizues i rëndësishëm i Evropës me gaz, ndonëse nuk është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë si Arabia Saudite, Kina, SHBA-të apo Rusia.
Rrezikimi i gazetarëve dhe aktivistëve
Situata për kritikët vendas dhe ambientalistët në këtë vend është jashtëzakonisht e keqe. Protestat shtypen me dhunë dhe, sipas Human Rights Watch (HRW), aktivistët arrestohen me pretekste fiktive. Në prill, aktivisti i të drejtave të njeriut dhe aktivisti i klimës Anar Mammadli u arrestua nga policia para një kopshti dhe që atëherë mbahet në burg. Sipas HRW, para arrestimit të tij ai kishte bashkëthemeluar një iniciativë për drejtësinë klimatike që mbronte të drejtat civile dhe klimën në Azerbajxhan. Arsyeja e arrestimit sipas autoriteteve është kontrabanda e parave të falsifikuara.
Sipas organizatës joqeveritare, dhuna ndaj kritikëve vazhdoi të rritet para konferencës për klimën. Po kështu është edhe brutaliteti i qasjes, thotë Huseynov. Disa nga kolegët jo vetëm torturohen në paraburgim, por edhe vriten në burg”. Në vitin 2018, Këshilli i Evropës (COE) deklaroi se dhuna policore në Azerbajxhan ishte sistematike dhe e përhapur. Azerbajxhani është gjithashtu një anëtar i COE.
Presidenti Aliyev nuk dëshiron që zërat e pavarur të flasin për mediat ndërkombëtare, vazhdoi Huseynov. “Qeveria po përpiqet të përdorë negociatat për klimën, të cilat janë kaq të rëndësishme për planetin, për të lustruar imazhin e keq të sundimtarit”, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut. Kjo duhet të parandalohet.
Përveç aktivistëve edhe portalet e pavarura të lajmeve janë në shënjestër të represionit shtetëror. Sipas HRW, redaksitë e dy stacioneve televizive janë kontrolluar së fundmi, janë arrestuar punonjës dhe janë bllokuar faqet e internetit të mediave të pavarura. Në renditjen e Reporterëve pa Kufij, Azerbajxhani renditet i 164-ti nga 180 vende, pas Somalisë dhe Rusisë.
Për shkak të kritikave për shkeljet e të drejtave të njeriut, Azerbajxhani vendosi gjithashtu ndalime të hyrjes për katër anëtarë të Bundestagut. Huseynov u bën thirrje krerëve të shteteve që të bëjnë presion ndaj Aliyevit dhe të kushtëzojnë vizitën e tyre me lirimin e të burgosurve politikë. Ai u lirua vetëm për shkak të presionit politik nga jashtë. Përpara Lojërave Evropiane 2015, qeveria zvicerane kërkoi lirinë e Huseynovit. Pas shumë muajsh qëndrimi në ambasadën zvicerane, ai më pas mundi të largohej nga vendi. Shumë kritikë të tjerë të qeverisë mbeten në paraburgim në Baku./DW