Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe kryeredaktorit të Gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilëson Lumezin korrekt në profesion por edhe mik.
‘’Një mik i mirë dhe një gazetar korrekt si Aristir Lumezi nuk ia doli dot në betejën me një sëmundje të rëndë. U prehsh në paqe Aristir!”, shkruan ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Ndërkohë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehet se ky lajm e ka kapur në befasi, teksa e cilëson Lumezin si mik të vërtetë.
Postimi i Ulsi Manjës:
”Lamtumirë, mik i vërtetë! Lajmi për ndarjen nga jeta të Aristir Lumezit më kapi në befasi!
Nuk mbaj mend se kur ka qenë telefonata ime e fundit me Aristirin, pasi i kisha rënë disa herë kohët e fundit për ta pyetur për diçka thelbi i së cilës ka humbur nga ritmi i shpejtë i ditëve…!
Nuk mu përgjigj në telefon, mesa duket sëmundja nuk ia paska lejuar të rrokë telefonin në dorë. Se gatishmëria e tij për t’u përgjigjur në çdo orë të natës apo ditës ishte shembullore. Nuk e trazova më! Dhe sot mora lajmin e trishtë për ndarjen e tij nga kjo botë e zhurmshme, të cilës ai i qëndroi larg me atë qetësinë tipike që ishte pjesë e qenësishme e karakterit të tij. Megjithatë, përmbajtjen e bisedës së fundit me të e mbaj mend mirë, sepse Aristiri, si burrë fisnik që ishte, gjithnjë interesohej për hallet e të tjerëve. Telefonatat e tij ishin gjithmonë për të më përgëzuar apo për të më dhënë ndonjë këshillë për komunikimin tim publik, por kurrë për hallet ose punët e tij!
Ky ishte Aristir Lumezi, specie në zhdukje e gazetarisë korrekte dhe e lajmit “lajm”, pa cënuar askënd në nder e dinjitet dhe gjithmonë besnik i mbrojtjes së interesit publik dhe të vërtetës!
Dhimbja dhe mungesa më e madhe është e familjes, por jo pak do të na mungosh edhe neve, miqve dhe shokëve të shumtë që kishe, i dashur Aristir. Megjithatë, jam i bindur që më së shumti do t’i mungosh gazetarisë së ndershme dhe të vërtetë, që ti i dhe më të mirën tënde! Lamtumirë, mik i mirë, mik i vërtetë”
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co