Zv.Dekane e Fakultetit të Histori Filologjisë, Elsa Skënderi, në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24, foli lidhur me figurën e Ismail Kadaresë, i cili u nda nga jeta mëngjesin e sotëm.
“Ishte një trishtim shumë i madh lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Sigurisht kur njerëzit janë në një moshë të shtyrë sikundër ishte Kadare, sërisht në mëngjesin e sotëm edhe qava. Është një lajm i drishtë, ditë e trishtë”, tha Skënderi.
Duke rrëfyer momentet nga takimet me Kadarenë, Skënderi tha se në çdo fjali që thoshte gjeje mençuri në atë që tregonte, edhe pse fliste pak, ndoshta për shkak të moshës.
“Sot ishte një gjë e bukur, por edhe prekëse, që në profilet në rrjetet sociale, kishte foto të qytetarëve të ndryshëm me kolosin e letrave. Ai e lëvroi shqipen si askush tjetër”, tha ajo.
[embedded content]
Në vijim Skënderi u shpreh se nga kontaktet që kishte me qytetarët, me njerëzit, ai iu jepte mundësinë që të kishin një kujtim me të, dhe kjo tregon aspektin e tij njerëzor.
“Vepra e tij është e jashtëzakonshme, shumë më e madhe se çdo koment meskin që mund të bëhet, duke u përpjekur që të relativizojnë gjithçka”, tha Skënderi.
Sipas saj, Kadare në letërsinë shqipe ishte ndoshta e vetmja frymëmarrje që i ikte realizmit socialist, që ia doli të tejkalonte atë censurën e madhe. “Kadare ishte unik në këtë drejtim. Ka pasur nga ata që thonin që nëse nuk do të ishte ajo lloj shtypje, Kadare ndoshta nuk do të arrinte të sublimonte talentin e tij. Ishte një zë unik, ishte një njeri i vetëm dhe ngriti në majat e letërsisë botërore, letërsinë shqipe”, tha Skënderi.
Duke folur për ndikimin e Kadaresë në gjuhën shqipe, Skënderi tha se ndikimi i tij ishte i jashtëzakonshëm, lëvroi brumin e shqipes, e ka lëvruar si askush tjetër, ka ndërtuar modele të tëra fjalëformimi që janë në përdorim edhe sot.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co