Teuta doli pa pikë edhe kundër Laçit, ashtu si disa ditë më parë ndaj Dinamos.
Edhe pse pati një mori rastesh të dielën në “Niko Dovana”, disa prej tyre të pastra, skuadra durrsake nuk mundi të finalizonte asnjërin prej tyre dhe në fund u ndëshkua nga një episod. Me dy humbjet e fundit ndërlikohen sërish pozitat për durrsakët, të cilët kanë zbritur në vend të 8-të. Në këto kushte, rikthimi te fitorja bëhet detyrim për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, që luhet të shtunën në Korçë.
Një ditë pas ndeshjes me Laçin trajneri Edi Martini ka zhvilluar një seancë stërvitore me intensitet të plotë në stadiumin “Niko Dovana”. Para seancës stërvitore, trajneri shkodran foli para lojtarëve për rëndësinë e ndeshjes në Korçë, duke theksuar se tani rëndësi kanë vetëm pikët. Ai nuk do të ketë mungesa në këtë transfertë dhe pritet kthesa pas dy humbjeve radhazi, edhe pse kundërshtari është i fortë dhe po kalon një moment të mirë.
Në Durrës është e qartë se nuk kanë rrugë tjetër, duhet të dalin nga zona e ftohtë e renditjes sa më parë. Stafi teknik është mundur të punojë në ato pika, ku skuadra shfaqi probleme në ndeshjen e fundit me Laçin. Edhe pse Teuta dominoi në lojë dhe raste, sërish tregoi probleme në momente të caktuara. Prandaj trajneri Martini kërkon që kjo gjë të mos ndodhë në Korçë, por edhe në ndeshjet e tjera të kampionatit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co