Ligjvënësit rusë kanë ratifikuar të enjten një pakt me Korenë e Veriut që parashikon ndihmën e ndërsjellë ushtarake, një veprim që vjen një ditë pasi SHBA-ja konfirmoi dislokimin e 3,000 trupave të Koresë së Veriut në Rusi.
Dhoma e ulët e parlamentit rus, Duma e Shtetit, votoi me shpejtësi për të miratuar traktatin e “partneritetit gjithëpërfshirës strategjik” që presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në një vizitë në Phenian në qershor.
Dhoma e sipërme pritet të veprojë ngjashëm së shpejti, raporton AP.
Pakti detyron Rusinë dhe Korenë e Veriut që të ofrojnë menjëherë ndihmë ushtarake duke përdorur “të gjitha mjetet” nëse ndonjëra sulmohet.
Veprimi shënon lidhjen më të fortë midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se 3,000 trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi dhe po stërviten në disa lokacione, duke e quajtur masën shumë serioze.